Bashkimi Evropian tha më 9 shtator se aleatët e tij kanë ndarë “informacione të besueshme” se Irani e ka furnizuar Rusinë me raketa balistike, një pretendim që është hedhur poshtë nga Teherani, por nuk është mohuar në mënyrë eksplicite nga Kremlini.
Mediat amerikane, duke cituar burime anonime, raportuan javën e kaluar se Uashingtoni beson që Irani ka transferuar armë në Rusi, për përdorim në Ukrainë.
“Ne jemi në dijeni të informacioneve të besueshme, që na janë ofruar nga aleatët tanë, për dërgimin e raketave balistike iraniane në Rusi”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Jemi duke i shqyrtuar më tej [informacionet] me anëtarët tanë dhe nëse konfirmohen, këto dërgesa do të paraqisnin një përshkallëzim të rëndësishëm të mbështetjes së Iranit për luftën e paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha ai.
Stanoi shtoi se “qëndrimi unanim i udhëheqësve të BE-së ka qenë gjithmonë i qartë. BE-ja do të përgjigjet në mënyrë të shpejtë dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë edhe përmes masave të reja kufizuese ndaj Iranit.
Ministria e Jashtme iraniane ka hedhur poshtë këto akuza.