Negociatorët e BE në Strasbourg miratuan një ligj që i mbron denoncuesit evropianë, të cilët raportojnë shkeljen e ligjit të BE, evazionin fiskal ose mosrespektimin e fshehtësisë së të dhënave. Komisioni i BE propozoi në prill 2018 një “direktivë për mbrojtjen e denoncuesve whistleblower”, duke cituar skandale si Dieselgate, Panama Papers ose shpërdorimin e të dhënave nga Cambridge Analytica, të cilat u zbuluan nga denoncuesit.
“Denoncuesit (whistleblower) mund të luajnë një rol të rëndësishëm duke zbuluar aktivitete jo të ligjshme, që dëmtojnë interesin publik dhe mirëqënien e qytetarëve tanë dhe të shoqërisë”, shkroi Komisioni në deklaratën e tij në atë kohë.
Me krijimin e një standardi të vlefshëm në të gjithë BE, Komisioni tha se do të krijohen “kanale të sigurta për raportim si brenda organizatave, ashtu edhe përballë autoriteteve publike”.
Mbrojtje ndaj hakmarrjes
Kryenegociatorja, eurodeputetja franceze Virginie Roziere tha në twitter të martën se negociatorëve “iu desh të luftojnë për tekstin përfundimtar” të ligjit, për “t’iu përgjigjur asaj që presin qytetarët”. “Puna jonë ishte të identifikonim shtetet, të cilat i kundërshtonin kanalet e jashtme dhe t’i bënim ato që të vepronin në përputhje me përgjegjësitë që kanë përballë qytetarëve dhe OJQ-ve”, shkroi ajo. Në negociimin e detajeve të ligjit, Luksemburgu, Irlanda dhe Hungaria kërkuan që çështjet e taksave të përjashtoheshin nga mbrojtja e denoncuesve, por Gjermania, Franca dhe Italia këmbëngulën, që ato të përfshihen.
Elementë të ligjit janë mekanizma mbrojtës si kanalet e raportimit konfidencial brenda dhe jashtë organizatave. Direktiva do të ngrejë një sistem raportimi me tre hallka, raportimin e brendshëm, raportimin te autoritetet kompetente dhe kanalet për raportimin e mashtrimit te media në rastin se nuk merren “veprime të përshtatshme”, ose në rastin e “rrezikut të qartë dhe imediat për interesin publik ose për dëm të pariparueshëm.” Direktiva ndalon më tej “të gjitha format e hakmarrjes” ndaj denoncuesve dhe në raste të tilla do të ofrohet qasje në “këshillim falas dhe masa të përshtatshme”.
‘Një shans për të luftuar’
Grupi i avokatëve mbrojtës të denoncuesve (whistleblower)Whistleblowing International Network tha në twitter pasi u shpall ligji, se “denoncuesit në Evropë kanë një shans lufte për të mbijetuar kur flasin për interesat tona dhe për demokracinë tonë.”/DW