“Blerjet e përbashkëta të armëve dhe një plan investimi (EDIP) prej 1.5 miliardë euro deri në vitin 2027 për të përshpejtuar prodhimin në Europë.”
Janë këto dy shtyllat e strategjisë së re për industrinë e mbrojtjes të paraqitur nga Komisioni Europian për ta bërë kontinentin “të gatshëm për të reaguar” ndaj çdo të papriture.
Plani përfshin një program blerjeje të përbashkët për të paktën 40% të armëve deri në vitin 2030, prokurim të përbashkët dhe masa për të siguruar që, deri në vitin 2030, të paktën 35% e të gjithë vlerës së tregut të jetë në BE.
Në anën e financimit është përfshirë edhe BEI, (Banka Europiane e Investimeve) ndërkohë që nuk ka referenca për eurobono.
Shtetet anëtare të BE-së do të jenë në gjendje, nëse dëshirojnë, të lëshojnë aktive financiare për të garantuar planin afatgjatë të financimit për programet e armatimit, shkruhet në komunikatën e Komisionit Europian për strategjinë për industrinë europiane të mbrojtjes.
“Europa është ende në rrezik, lufta është në kufijtë tanë dhe është një luftë që nuk duket se do të përfundojë së shpejti dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të forcojmë kapacitetet tona prodhuese, duke kaluar nga një gjendje emergjente në një periudhë vizioni të mesme dhe të gjatë për të mbështetur Ukrainën”.
Kështu ka deklaruar përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, gjatë prezantimit të strategjisë europiane të mbrojtjes.
Gjithashtu edhe von der Leyen ka mbështetur fjalët e Borrell, duke theksuar se Europa është e gatshme të shpenzojë më shumë për mbrojtjen.
“Sot ne po përcaktojmë vizionin tonë për gatishmërinë e mbrojtjes me Strategjinë Industriale të Mbrojtjes së Europës.
Kjo do të mbështesë vendet anëtare jo vetëm që të shpenzojnë më shumë, por edhe më mirë, së bashku dhe në një mënyrë europiane”, theksoi ajo.
Ndërkohë Komisioneri i BE-së për tregun e brendshëm tha se Komisioni Europian “pa dyshim do të duhet të punojë” për idenë e eurobonove të reja njëqind miliardë euro për mbrojtjen “brenda mandatit të ardhshëm”.
“Kisha imagjinuar një fond prej njëqind miliardë, padyshim që do të duhet të diskutohet”, shpjegoi Thierry Breton, duke nënvizuar se një numër i caktuar krerësh shtetesh kanë filluar të flasin për këtë shumë qartë: është një ide e propozuar nga francezët, presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministrja estoneze Kaja Kallas, të mbështetur edhe nga kryeministri belg De Croo”.
/abcnews.al