BE e shqetësuar për ngjarjet në Mal të Zi: Bëjmë thirrje për përmbajtje, të hetohet dhuna

schedule10:19 - 6 Shtator, 2021

schedule 10:19 - 6 Shtator, 2021

Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për situatën në Mal të Zi, pas trazirave që shpërthyen atje me rastin e shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Në reagimin e BE-së kërkohet përmbajte dhe hetime për dhunën.

“Zhvillimet në Mal të Zi janë tejet shqetësuese. Liria e tubimit është e drejtë themelore e BE-së. Në të njëjtën kohë, ajo e drejtë duhet të përdoret pa paragjykuar shëndetin publik dhe në përputhje të plotë me sundimin e ligjit, rendin publik dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.

“Cilido përdorim i forcës duhet të jetë i matur dhe proporcional në secilin moment. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe presim nga organet kompetente që të hetojnë dhe sigurojnë proces të duhur gjyqësor për rastet e dhunës, si ndaj protestuesve, ashtu edhe ndaj zyrtarëve të rendit”, tha BE-ja.

Mitropoliti i Malit të Zi, Joanikije, u shugurua të dielën në Cetinë të Malit të Zi. Shugurimi në Cetinë shkaktoi tensione të larta midis qytetarëve malazezë dhe serbë të Malit të Zi.

Ngjarja u përcoll me disa incidente, dhjetëra të plagosur dhe angazhimin e forcave të shumta policore. Cetina është qendra kulturore dhe historike e Malit të Zi dhe simbol i identitetit shpirtëror, shtetëror dhe kombëtar për malazezët.

Në të njëjtën kohë, qyteti është seli e Mitropolisë së Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe vend ku janë shuguruar shumica e mitropolitëve. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!