BE, e prerë: Boll folët veç e veç! Presim kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për të firmosur marrëveshjen e targave!

schedule16:39 - 25 Prill, 2022

schedule 16:39 - 25 Prill, 2022

Nga Erisa Zykaj

Për Bashkimin Europian, është për të ardhur keq, që dialogu Prishtinë-Beograd i ngjan më shumë një monologu sesa një dialogu. Burime të brenshme të kësaj organizate bëjnë të ditur, se delegacionet e Serbisë dhe Kosovës prej muajsh zhvillojnë takime në të njëjtën godinë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, por nuk takohen bashkë në një sallë.

Sipas këtyre burimeve, shenja inkurajuese gjatë raundit të fundit të dialogut në 21 prill ishte, se dy delegacionet zhvilluan një takim tripalësh dhe axhenda përmbante 11 pika diskutimi, përfshirë çështjen e energjisë dhe personave të pagjetur.

Por takimi përfundoi pa dakortësi për shkak të mospërputhjes së qëndrimeve të palëve për një marrëveshje përfundimtare lidhur me çështjen e targave. Sipas BE-së, Serbia donte të mbante status-quo, ndërkohë, që Kosova donte të ecte përpara, gjë që konfirmon deklaratën e dhënë nga zëvendëspresidenti i Kosovës, Besnik Bislimi në përfundim të këtij raundi.

Rrjedhimisht, Bashkimi Europian i ka bërë thirrje të dy delegacioneve të mblidhen sërish këtë javë për të gjetur një marrëveshje për lëvizjen e lirë dhe konkretisht lëvizjen e automjeteve midis dy vendeve. Kjo, pasi përplasje të mundshme midis dy palëve për këtë çështje mund të shkaktojnë përshkallëzim të situatës midis vendeve të cilin Bashkimi Europian do me çdo kusht t’a evitojë.

Ndaj, sipas burimeve të BE-së, këtë javë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë të ftuar në Bruksel me shpresën për të arritur një marrëveshje përfundimtare për targat dhe për të avancuar me marrëveshjet e tjera.

Për BE-në, targat e makinave serbe duhet të ndërrojnë regjimin, gjë që ka ndodhur në Jug të Kosovës, por jo në Veri, ku BE-ja pret kalimin në të ashtuquajturën “ phase-out, ndalimin e përdorimit të automjeteve serbe me targa që mbartin akronime të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga autoritetet serbe, sipas marrëveshjes së arritur në 2011 dhe të rikonfirmuar në 2016. Por që takimi të mbahet do të duhet konfirmimi nga delegacionet e Kosovës dhe Serbisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!