Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në takimin e tyre të hënën në Bruksel do të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor, më së shumti për situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Edhe pse nga ky takim nuk priten konkluza formale, diskutimi shihet si dëshmi se BE-ja është e shqetësuar për eskalimin e situatës në rajon dhe sfidave që paraqet ajo.
Në një dokument të përgatitur nga Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për këtë takim, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, situatë sfiduese konsiderohet sidomos në veri të Kosovës dhe në Bosnje e Hercegovinë.
“Në muajt e fundit situata politike në disa pjesë të Ballkanit Perëndimor është bërë sfidë në rritje. Në Bosnje e Hercegovinë është thelluar kriza politike dhe kanë dominuar retorika dhe veprimet përçarëse. Ka pasur kthim të tensioneve dhe incidente në veri të Kosovës. Ndasitë ndërpartiake kanë vazhduar ta destabilizojnë dhe paralizojnë sistemin politik në Mal të Zi. Mospajtimet mes partnerëve nga Ballkani Perëndimor janë duke mbajtur peng implementimin e integrimeve rajonale”, thuhet ndër tjerash në këtë dokument.
Sa i përket Kosovës, thuhet se “atmosfera rreth dialogut mbetet sfiduese dhe nuk ka pasur progres të mëtejmë në muajt e fundit”.
“Zgjidhja e mospajtimeve rreth targave të veturave edhe një herë ka dëshmuar se dialogu mund të prodhojë rezultate, sidomos kur mbështetet nga mesazhet e qarta nga niveli i lartë i përfaqësuesve të BE-së dhe nga bashkësia më e gjerë ndërkombëtare, përfshirë edhe koordinimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në këtë dokument.
Më tej kërkohet që fokusi në dialog tash të jetë në kthimin në implementimin e marrëveshjeve të mëhershme nga ana e palëve dhe përmirësimi i atmosferës përmes hapave konkretë pozitiv drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit.
Por, kërkohet që të ketë një mbështetje të madhe nga shtetet anëtare, në kontakte me Prishtinën dhe Beogradin, për përpjekjet e përfaqësuesit të Lartë, Josep Borell, dhe të dërguarit të Posaçëm Miroslav Lajçak.
“Palët duhet të inkurajohen që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të dëshmojnë rezultate pozitive, përfshirë edhe rreth marrëveshjeve rajonale që lidhen me tregun e përbashkët rajonal, dhe të përmbahen nga veprimet unilaterale dhe retorika përçarëse, sidomos kur është fjala për veriun e Kosovës”, thuhet në këtë dokument.
Në këtë “letër për diskutim” siç quhet, përmendet edhe liberalizimi i vizave.
“Edhe pse është proces më vete, avancimi i diskutimeve për liberalizimin e vizave për Kosovën do të kontribuonte, po ashtu, në përmirësimin e kredibilitetit të BE-së dhe do të jepte një shtytje tjetër për progresin e Kosovës në rrugëtimin evropian”, thuhet në këtë dokument.
Një ditë pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel do të zhvillohet një rund i ri në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve./REL