Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell këtë të hënë ka bërë me dije se nuk ka mbështjete të mjaftueshme nga vendet anëtare të BE-së për të vendosur një embargo të plotë ose tarifa ndëshkuese ndaj naftës dhe gazit rus.
Eksportet e naftës janë burimi kryesor i këmbimit valutor për Moskën dhe shumë vende të BE-së kanë bërë thirrje për një embargo, pasi besojnë se tregjet ruse të naftës po financojnë efektivisht luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Sipas Eurostat, pak më shumë se një e katërta e naftës së importuar nga BE në vitin 2020 erdhi nga Rusia, duke e bërë atë një vend kyç nga i cili blloku importon naftë.
Borell ndër të tjara ka shpjeguar se çështja do të diskutohej në samitin e ardhshëm evropian të planifikuar për në fund të majit, duke shtuar se ai nuk pret që një vendim për këtë çështje të merret më shpejt.
“Një propozim përfundimtar për të vendosur një embargo ndaj naftës dhe gazit nuk është ende në tryezë,” tha ai.
Ndërkohë mediat e huaja raportojnë se Komisioni Evropian ndoshta do të paraqesë një propozim këtë javë për një paketë të gjashtë sanksionesh kundër Rusisë.
Të gjitha vendet e BE-së po punojnë për të reduktuar varësinë e tyre nga energjia ruse, tha Borell, duke vënë në dukje se ai beson se blloku një ditë do të jetë në gjendje të reduktojë varësinë e tij nga ajo.
Bashkimi Evropian (BE) po përgatitet të vendosë “sanksione të zgjuara” ndaj importeve të naftës ruse, sipas nënpresidentit të Komisionit Evropian Valdis Dobrovskis.
Ndërkohë kujtojmë se Rusia është furnizuesi më i madh i naftës në Evropë. BE importoi 26% të naftës bruto të konsumuar në vitin 2020 nga ky vend.
Ukraina dhe disa vende anëtare të BE-së, përfshirë Poloninë dhe Lituaninë, po kërkojnë një embargo ndaj naftës dhe gazit rus. Por shtetet e tjera anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Hungarinë, janë drejtpërdrejt kundër embargos./abcnews.al