Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë kërkuar Izraelit të ndalë rritjen e dhunës nga kolonët hebrenj kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, që ka shpërthyer që prej fillimit të luftës së vendit me Iranin.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gjashtë palestinezë janë vrarë gjatë sulmeve nga kolonët në Bregun Perëndimor gjatë 11 ditëve të fundit.
Mbretëria e Bashkuar tha se ishte e tronditur nga vrasjet, ndërsa Bashkimi Evropian deklaroi se niveli i dhunës së kolonëve është i papranueshëm. Të dyja palët i kërkuan autoriteteve izraelite të ndërmarrin veprime për të siguruar përgjegjësi për autorët dhe për të parandaluar sulme të tjera.
Ushtria izraelite dënoi dhunën dhe tha se po punon për të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës.
Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime ku jetojnë rreth 700 mijë hebrenj që nga pushtimi i Bregut Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor – territore që palestinezët i duan, së bashku me Rripin e Gazës, për një shtet të ardhshëm palestinez- gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967. Rreth 3.3 milionë palestinezë jetojnë në të njëjtën zonë.
Vendbanimet konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Të dielën, tre palestinezë u vranë gjatë një sulmi të kolonëve në fshatin palestinez Khirbet Abu Falah, në verilindje të Ramallah.
Dëshmitarët i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se dhjetëra kolonë bastisën fshatin para agimit. Kur banorët u përballën me ta, duke përfshirë edhe hedhjen e gurëve, kolonë të armatosur mbërritën dhe hapën zjarr.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se dy banorë, Thaer Hamayel (24 vjeç) dhe kushëriri i tij Farea Hamayel (57 vjeç), u qëlluan në kokë dhe u vranë.
Një banor tjetër, Mohammed Murra (55 vjeç), pësoi arrest kardiak dhe vdiq në spital pasi kishte thithur gaz lotsjellës të hedhur nga forcat izraelite të sigurisë, sipas mjekëve.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se forcat e sigurisë u dërguan në zonë pas raportimeve për palestinezë të sulmuar nga civilë izraelitë pranë shtëpive të tyre dhe se ndërhynë për të shpërndarë të përfshirët. Ushtria shtoi se është hapur një hetim penal.


