BE denoncohet në Hagë për vdekjen e emigrantëve në det

schedule18:20 - 3 Qershor, 2019

schedule 18:20 - 3 Qershor, 2019

Krime kundër njerëzimit. Është kjo akuza ndaj Bashkimit Evropian në denoncimin e dorëzuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë. Vende anëtare të BE-së akuzohen për vdekjet e refugjatëve në detin Mesdhe. Më shumë se 12 mijë prej tyre kanë humbur jetën në atë që cilësohet si itinerari më vdekjeprurës i emigrantëve.

Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare që kanë pasur rol të planit të parë në krizën e refugjatëve, më saktë Italia, Gjermania dhe Franca, duhet të përndiqen për vdekjen e mijëra emigrantëve të mbytur në detin Mesdhe. Është ky denoncimi i dorëzuar në gjykatën penale ndërkombëtare në Hagë. Dy autorët kryesorë të dokumentit prej 245 faqesh janë Huan Branko, i cili ka punuar në të kaluarën në këtë gjykatë, dhe avokati izraelit Omer Shatz.

Akuza për krime ndaj njerëzimit e prezantuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, mbështetet në hipotezën se funksionarë dhe politikanë në mënyrë të vetëdijshme kanë krijuar itinerarin emigrator më vdekjeprurës në botë. Kjo me pasojën e më shumë se 12 mijë refugjatëve të mbytur në det.

Denoncimi mbështetet pjesërisht në dokumente të brendshme të Frontex, organizatës së Bashkimit Europian të ngarkuar për të mbrojtur kufijtë e jashtëm, e që sipas avokatëve, kanë paralajmëruar se braktisja e misionit Italian të shpëtimit ‘Mare Nostrum’ do të kishte shkaktuar një numër më të madh viktimash.

Avokatët nuk citojnë në dokumentin e tyre përgjegjësi specifike të politikanëve apo zyrtarëve në veçanti, por citojnë mesazhe diplomatike dhe komente  të liderëve kombëtarë, mes të cilëve, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron./ABC News Albania 24/7