BE dënon shkeljen e të drejtave të ujgurëve nga Kina

schedule13:21 - 12 Tetor, 2024

schedule 13:21 - 12 Tetor, 2024

Parlamenti Evropian miratoi me një shumicë të madhe votash një rezolutë ku dënohet persekutimi i ujgurëve nga qeveria kineze. Rezoluta e miratuar të enjten i bën thirrje Kinës të lirojë në mënyrë të menjëhershme dhe pa kushte personat e ndaluar, ndër ta edhe ekonomistin ujgur Ilham Tohti dhe mjeken Gulshan Abbas.

Rezoluta u bë e mundur falë shqetësimit të gjerë të komunitetit ndërkombëtar dhe nxjerr në pah situatën e të drejtave të njeriut në Xinjiang.

Rezoluta, e cila u miratua me 540 vota pro, 23 kundër dhe 47 abstenime, kritikon ashpër Kinën për “represionin dhe sulmet ndaj ujgurëve nëpërmjet politikave abuzive, përfshirë survejimin intensiv, punën e detyruar, sterilizimin, vendosjen e masave për kontrollin e lindjeve dhe shkatërrimin e identitetit ujgur, që janë krime ndaj njerëzimit dhe një rrezik serioz për gjenocid”.

Rezoluta e Parlamentit Evropian i kushton vëmendje të veçantë rasteve të njohura të dy ujgurëve. Ilham Tohti është një ekonomist 54-vjeçar i dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2014, me akuza për “separatizëm”. Zoti Tohti ka punuar prej kohësh për të nxitur dialogun mes ujgurëve dhe kinezëve han dhe është konsideruar një intelektual i moderuar. Në vitin 2019, Parlamenti Evropian i dha atij Çmimin Sakharov për Lirinë e Mendimit, për përpjekjet e tij për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

62-vjeçarja Gulshan Abbas është një ish-mjeke e dalë në pension. Ajo u arrestua në vitin 2018 dhe u dënua me 20 vite burgim me akuza të lidhura me terrorizmin. Motra e saj, Rushan Abbas, është aktiviste ujgure për të drejtat e njeriut në Shtetet e Bashkuara.

Ajo i tha Zërit të Amerikës se “Miratimi i kësaj rezolute nga Parlamenti Evropian ka domethënie më të madhe se një njohje simbolike; është një hap i vendosur drejt llogaridhënies dhe drejtësisë për jetët e panumërta të ujgurëve që janë shkatërruar nga politikat shtypëse të Kinës, përfshirë motrën time, Dr. Gulshan Abbas dhe Ilham Tohtin. Është tepër e rëndësishme që vendet anëtare të

BE-së jo vetëm të njohin detyrimin e tyre moral, por edhe ta shfrytëzojnë këtë moment politik për të vendosur sanksione për zbatimin e kësaj rezolute. Kërkesa jonë kolektive për drejtësi dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut duhet të manifestohet me masa domethënëse”.

Situata e të drejtave të njeriut në Rajonin Autonom të Ujgurëve Xinjiang është vendosur në fokusin e vëmendjes ndërkombëtare gjatë viteve të fundit. Disa vende perëndimore dhe grupe të të drejtave të njeriut e kanë akuzuar Kinën për ngritjen e “kampeve të riedukimit” në Xinjiang dhe për ndalimet masive të ujgurëve dhe pakicave të tjera. Organizata Human Rights Watch njofton se qindra mijëra ujgurë mund të jenë mbajtur në të ashtuquajturit “kampe riedukimi” që nga viti 2017. Nga analizimi i pamjeve satelitore të Institutit për Politikat Strategjike të Australisë, dallohen shumë objekte që mendohet se janë të tilla në Xinjiang.

Sidoqoftë, qeveria kineze i mohon me forcë këto akuza. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme ka thënë vazhdimisht se masat në Xinjiang kanë për qëllim të luftojnë terrorizmin dhe ekstremizmin, si dhe për të garantuar sigurinë rajonale dhe zhvillimin.

Qeveria kineze nuk reagoi menjëherë ndaj vendimit të Parlamentit Evropian.

Zëri i Amerikës kërkoi komente nga misioni kinez në Bashkimin Evropian, por nuk mori një përgjigje të menjëhershme./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!