Grupi Wagner është ende duke rekrutuar luftëtarë në të gjithë Rusinë, vetëm disa ditë pas rebelimit që e bëri Vladimir Putin të frikësohej nga lufta civile. Kështu raporton BBC, e cila, duke përdorur një numër telefoni rus, ka telefonuar më shumë se një duzinë qendrash rekrutimi.
“Të gjithë ata që na janë përgjigjur”, shkruan BBC, “kanë konfirmuar se puna e kompanisë vazhdon”. Nga Kaliningrad në perëndim deri në Krasnodar në jug, askush nuk besonte kurrë se grupi ishte shpërbërë. Në qytetin Murmansk, një grua në klubin sportiv Viking konfirmoi se ajo ishte ende duke regjistruar luftëtarë për Ukrainën.
“Ky është vendi ku ne po rekrutojmë, po. Nëse dikush dëshiron të shkojë, ai thjesht duhet të më telefonojë dhe ne do të caktojmë një ditë.” Lista e gjatë e pikave të kontaktit të ëagner-it bazohet kryesisht në klube luftarake, duke përfshirë shkollat e arteve marciale dhe klubet e boksit.
Disa njerëz theksuan se anëtarët e rinj po nënshkruanin kontrata me vetë grupin mercenar, jo me ministrinë ruse të mbrojtjes. “Nuk ka të bëjë absolutisht asgjë me ministrinë e mbrojtjes,” ishte i bindur një burrë në klubin sportiv Sparta në Volgograd. “Asgjë nuk është ndalur, ne jemi ende duke rekrutuar.”
Kërkesa që mercenarët të transferoheshin në ministrinë e mbrojtjes erdhi pas rebelimit të Wagnerit fundjavën e kaluar. Pas një marrëveshje me presidentin bjellorus, kreu i grupit mercenar pranoi që të tërheqë trupat që ishin nisur drejt Moskës dhe vetë të zhvendosej në Bjellorusi./abcnews.al