BBC: May kërkon zyrtarisht shtyrje të afatit për Brexit

schedule10:18 - 20 Mars, 2019

schedule 10:18 - 20 Mars, 2019

Sipas BBC, kryeministrja britanike Tereza Mej i ka kërkuar zyrtarisht Brukselit një shtyrje të afatit për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian. Nëse kjo kërkesë realizohet, atëherë datat e aktivizimit të Brexit mund të ishin ose 30 qershori, ose Marsi i 2021-shit.

Kryeministrja britanike Tereza Mej i ka kërkuar zyrtarisht Bashkimit Evropian një shtyrje të afatit për aktivizimin e Brexit. Sipas raportimeve të BBC, në fakt Mej i ka dërguar një letër presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk. Kryenegociatori i Brukselit për Brexit, Mishel Barnier, kishte deklaruar pak më parë se Mbretëria e Bashkuar duhet të shprehet shumë shpejt rreth asaj që dëshiron të bëjë. Ndërkohë që vota në Këshillin Evropian të enjten dhe të premten duhet të jetë unanime.

Duhen edhe dhjetë ditë nga data teorike e divorcit të Londrës nga Brukseli. Por Tereza Mej vazhdon të jetë në një situatë të vështirë përballë përçarjeve të brendshme në qeveri dhe në parlament si dhe skenarëve për krizë kushtetuese si pasojë e përplasjeve për votimin e tretë, nëse duhet të ndodhë ose jo. Brukseli paralajmëron se zgjatja e afateve mund të bëhet realitet vetëm nëse plotësohen kushte të qarTa, përballë arsyeve dhe objektivave të qartë nga Londra

Opsioni numër një mbetet ai një shtyrjeje teknike deri në 30 Qershor dhe pa pjesëmarrjen britanike në zgjedhjet e ardhshme evropiane. Ndërsa opsioni për një shtyrje më të gjatë  – rreth dy vjet – duhet të ofrojë një strategji të re dhe tërësisht të ndryshme nga ajo që Londra propozon aktualisht. Një situatë që shqetëson Evropën pasi do të konkretizohej një divorc pa marrëveshje./abcnews.al