Bayern tregon forcën/ Bavarezët marrin fitoren e parë ndaj trajnerit Xabi Alonso

schedule12:41 - 6 Mars, 2025

schedule 12:41 - 6 Mars, 2025

Do të vinte më në fund kjo ditë. Probabiliteti është gjithmonë i madh që një gjigand të reagojë dhe të fitojë pasi është turpëruar disa herë.

Kështu ngjau edhe në duelin e Championsit mes Bajernit dhe Leverkusenit, fituar 3-0 nga bavarezët.

Kjo ishte fitorja e parë e trajnerit Vinsent Kompani ndaj këtij rivali në ndeshjen e katërt mes tyre, dhe suksesi I parë I ekipit të madh kundër trajnerit Shabi Alonso.

Nuk pati histori këtë herë në “Alianc Arenë” të Mynihut, dhe rekordmenët e titujve në Gjermani triumfuan falë golave të shënuar nga Harri Kejn në minutën e 9-të dhe pastaj në të 75-ët, si dhe nga talenti Xhamal Musiala në minutën e 54-ët.

Bajerni pati epërsi siç e tregojnë statistikat me 17 gjuajtje gjithsej dhe 6 në kuadrat, ndaj vetëm 3 goditjeve të kampionëve të Gjermanisë, e madje veç një mes shtyllave.

Bavarezët mbajtën topin 65 për qind, dhe padyshim merituan gjithçka, ndonëse trajneri Vinsent Kompani deklaroi se ndeshja nuk ishte e tillë siç e tregon rezultati.

“Pjesa jonë e parë ishte e përsosur dhe kjo na ndihmoi shumë. Gjithsesi, ne kemi bërë vetëm gjysmën e punës, ndërsa gjysma tjetër do të jetë mesjavën e ardhshme në Leverkusen. Ne duhet të luajmë sërish në të njëjtin nivel që të arrijmë çerekfinalet. Është hera e katërt që luajtëm ndaj Leverkusenit këtë sezon dhe sërish ndeshja u vendos nga detajet, edhe pse rezultati flet ndryshe. Nuk kam informacion për dëmtimin e Nojerit, por duket se u lëndua duke festuar”.

“Bildi” jep diagnozën e porterit dhe kapitenit bavarez, duke shkruar se gjendja e tij është përkeqësuar! E përditshmja tabloide shkruan edhe se komentet mediatike pas humbjes së Leverkusenit janë një masakër për trajnerin Shabi Alonso. Ndeshja e kthimit luhet në Leverkusen të martën e 11 marsit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!