Ka ende rrugë deri në çerekfinale, por kontinenti i vjetër dominon.
Pas Çelsit e Paris SG, është Bajerni skuadra e radhës e kualifikuar nga Europa në Kupën e Botës të Klubeve.
Bavarezët fituan një derbi të futbollit europian me atë amerikanolatin, pasi mundën 4-2 Flamengon e Brazilit në raundin e dytë.
Nuk ishte versioni më i mirë i kampionëve të Gjermanisë, të cilët u treguan cinikë dhe vuajtën thuajse deri në fund, por edhe kaq mjaftoi për një sukses serioz.
U duk se rotacioni i trajnerit Vinsent Kompani bëri punë, me 7 lojtarë të lënë pushim në grup, sepse Bajerni shënoi dy herë në 10 minuta.
I pari autogol nga Pulgar, ndërsa Harri Kejn realizoi një rrjetë prej manuali.
Zherson i dha shpresë Flamengos në 33’, ndonëse Leon Gorecka u përgjigj, dhe bavarezët shkuan në pushim me vetëm një gjuajtje në kuadrat e dy gola.
Më shumë efikasitet dhe cinizëm se kaq nuk mund të bëhet.
Ndeshja ishte e bukur në të dyja pjesët, pra e tillë vazhdoi edhe në 45 minutat e dyta.
Zhorzhinjo me penallti që në 55’ ringjalli shpresën e ekipit brazilian, që padyshim bëri më shumë, me 12 gjuajtje ndaj 8 të rivalit të madh, dhe me 51 për qind mbajtje topi.
Sidoqoftë, Bajerni pati më shumë klas e sidomos më shumë aftësi për gol, me Harri Kejnin në fushë.
Kapiteni i Anglisë mbylli llogaritë në 73’, dhe tani ka 41 gola në 50 ndeshje për gjermanët këtë sezon, dy më pak se Mbape dhe një poshtë Levandovskit.
Kampionia e Gjermanisë dha një paralajmërim dhe në çerekfinale do të luajë një finale të parakohshme ndaj kampiones së Francës dhe të Europës, Paris SG./abcnews.al

