Bayern dhe Inter nuk zhgënjejnë/ Dy skuadrat do përballen në çerekfinalet e Champions League

schedule12:41 - 12 Mars, 2025

schedule 12:41 - 12 Mars, 2025

Bajern Mynih dhe Inter do të përballen mes tyre në çerekfinalet e Champions League. Dy skuadrat konfirmuan këtë përballje të madhe, duke fituar sfidat e tyre të kthimit në fazën e 1/8 të turneut.
Bavarezët kaluan 2-0 aktin e dytë të derbit gjerman kundër Bajer Leverkusen, ndërsa kishin fituar 3-0 ndeshjen e parë në shtëpinë e tyre.

Me gol dhe asist, Herri Kein ishte protagonist absolut. Pas pjesës së parë të mbyllur pa gola, sulmuesi anglez kaloi në epërsi Bajern në minutën e 52-të.
Më pas në të 71-ën, shërbeu pasimin e fundit për Alfonso Devis, që vulosi fitoren dhe kualifikimin e rekordmenëve gjermanë në çerekfinalet e Champions League, ku I pret Inter.
Edhe zikaltërit shpërblyen të gjitha parashikimet, ndërsa pas suksesit 2-0 në transfertë për ndeshjen e parë, fituan 2-1 kundër Fejnord edhe në sfidën e kthimit të luajtur në “San Siro”.

Markus Turam në minutën e tetë shënoi golin e epërsisë për të zotët e shtëpisë. Një 11 metërsh në fusnin e pjesës së parë i goditur saktë nga Moder ktheu në lojë holandezët, por shpresat e tyre u shuan përfundimisht pas pushimit. Po me penalltiCalhanoglu në minutën e 51-të vendosi fatin e sfidës dhe kualifikimin e Inter mes tetë më të mirëve të Europës.
Kristjan Asllani luajti me shumë se gjysmë ore në këtë sfidë, duke zëvendësuar pikërisht Calhanoglu në minutën e 61-të duke bërë një paraqitje mesatare.

Nuk zhgënjen as Barcelona, që I bashkohet favoritëve të tjerë në çerekfinalet e Champions. Kryesuesit e La Liga mundën në shtëpi 3-1 Benfika, ndërsa ndeshjen e parë në transfertë e kishin fituar 1-0. Gjithçka e lehtë për të besuarit e Hansi Flik që e vranë garën që në pjesën e parë.

Rafinja në minutën e 11-të shënoi golin e epërsisë për vendasit. Portugezët kthyen shpejt ekulibrat në rezultat me Otamendi pas vetëm dy minutash lojë. Por përpara pushimit, në fillim Lamin Jamal dhe më pas sërish Rafinja mbyllën përpara kohe ndeshjen dhe kualifikimin e Barcelonës në çerekfinalet e Champions League./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!