Nuk ishte një fitore madhështore, por shumë më tepër e merituar sesa e thotë rezultati. Bajerni kaloi Boka Juniorsin në derbin mes futbollit europian dhe atij amerikanolatin, duke vendosur sërish kandidaturën për të fituar Botërorin e Klubeve. Bashkë me suksesin erdhi edhe kualifikimi në raundin e dytë.
Në stadiumin “Hard Rok” në Majemi, bavarezët ia dolën 2-1, madje siguruan tri pikët vetëm gjashtë minuta para fundit.
Harri Kejn kaloi kampionen e Gjermanisë në epërsi në 18’, dhe dominimi ishte I plotë.
Boka thuajse vetëm u mbrojt, duke shfrytëzuar vetëm kundërsulmin, dhe këtë e tregon fakti se Bajerni e mbajti topin 73 për qind, një shifër tepër e lartë për një ndeshje ndaj një kundërshtari të tillë. Edhe gjuajtjet ishin dyfish, 11 me 6, ndonëse argjentinasit papritur barazuan në pjesën e dytë.
Në 66’Migel Merentiel tundi rrjetën, ashtu siç ndodhi edhe kundër Benfikës.
Gjithsesi, skuadrat e mëdha luajnë deri në fund dhe të besuarit e trajnerit Vinsent Kompani morën fitoren në 84’, falë rrjetës së francezit Majkëll Olize. Në ndeshjen tjetër të grupit C, Benfika kaloi vështirësitë e motit, stuhinë që e ndaloi ndeshjen për një kohë të gjatë, dhe mundi 6-0 Oklendin.
Kampionia e Oqeanisë u mbajt në pjesën e parë duke pësuar gol vetëm në minutën e 8-të shtesë para pushimit.
Më pas, “shqiponjat” e Lisbonës bënë diferencën. Angel Di Maria shënoi dy gola, që të dy me penallti, dy edhe Leandro Barreiro, ndërsa nga një I takuan grekut Pavlidis dhe Renato Sançezit.
Bajerni kryeson grupin me 6 pikë, Benfika ka 4, ndërsa Boka Juniors është pranë eliminimit me 1 pikë, duke mos e pasur fatin në duart e veta. / abcnews.al