Kishte shumë emocione, sepse ishte përfshirë në skuadër. Quhet Erblin Osmani, ishte marrë nga trajneri Vinsent Kompani, dhe ia doli ta realizonte ëndrrën e parë të jetës.
Adoleshenti me origjinë nga Kosova u aktivizua si zëvendësues në ndeshjen që Bajerni e arriti në Mynih ndaj Unionit të Berlinit, për Bundesligën gjermane.
Në moshën 16 vjeç, 10 muaj e dy ditë, ai u bë I dyti lojtar më I ri që bën debutimin për gjigandin bavarez.
Tekniku belg e aktivizoi në minutën e 87-të, ndërsa kampionët e Gjermanisë kryesonin 4-0 ndaj rivalit.
Osmani luan për ekipin U17 të Bajernit, dhe ka shënuar 3 gola e ka shërbyer një asist në 5 ndeshje në kampionatin e moshës, si dhe ka spikatur si një nga talentet e së ardhmes.
Lindur në Mynih, por me prindër të ardhur nga Gjilani i Kosovës, ai është aktivizuar me kombëtaret gjermane U16 e U17.
Pritet që të arrijë të ketë karrierë të rëndësishme në skuadrën më të madhe të Bundesligës, ndërsa e ardhmja besohet se do të jetë me kombëtaren e Gjermanisë, ndonëse ku i dihet mund të mendojë për Kosovën apo ndoshta për Shqipërinë./abcnews.al


