Mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, është kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm tek Atalanta, që sezonin e shkuar i mahniti të gjithë me ndeshjet që zhvilloi. Djimsiti ka dhënë një intervistë për mediat e Bergamos, aty ku foli për rrugëtimin e edicionit të shkuar në Champions, si dhe një batutë për Papu Gomezin, kapitenin e ekipit.
“Për eliminimin nga Champions League, mbetet keqardhja, por që nuk sjell diçka negative, vetëm motivim të madh, pasi kemi treguar se duke e provuar, në futboll mund të arrish gjithçka, edhe të arrish në disa nivele të caktuara. Ne na mbeti vetëm pak për t’ia dalë, por ka mbetur brenda nesh një dëshirë e madhe për të përsëritur veten dhe për të riprovuar gjithçka.
Titulli është një ëndërr. Në futboll gjithçka është e mundur, por për momentin nuk do rrimë ta mendojmë. Nëse në një pikë të caktuar të sezonit do të jemi pranë majës së klasifikimit, do ta provojmë. Ne gjthmonë i marrim ndeshjet me radhë dhe ashtu siç dëshiron trajneri, nuk kënaqemi me atë që kemi arritur”, tha mbrojtësi shqiptar.
Papu Gomez në Arabi? Jemi tallur me të. E pyeta se mos kishte nevojë për ndonjë shofer, por më tha që kisha shkuar shumë vonë. Për momentin ne nuk jemi të shqetësuar se do të largohet”, u shpreh Gjimshiti./abcnews.al