Bernard Challandes nuk i ka kursyer elozhet për Anglinë. “Tre Luanët” do të jenë kundërshtari i fundit për këtë fazë eliminatoresh të Euro 2020. Dardanët presin në Prishtinë ekipin e Southgate nesër (18:00).
Trajneri zviceran analizon forcën e frikshme ofensive të Anglisë, teksa bën humor në lidhje me Rahem Sterling. Ylli i Manchester City është i jashtëzakonshëm dhe ka vetëm një mënyrë për ta ndalur.
“Do të jetë një ndeshje e mrekullueshme. Është një sfidë e bukur për ne përballja me një prej kombëtareve më të forta në botë dhe, me shumë mundësi, skuadrës më të fortë në Evropë për momentin. Shihni çfarë ka bërë Anglia në këto eliminatore. Kanë një potencial të jashtëzakonshëm në sulm dhe askush nuk ka shënuar më shumë se ata.
Kanë fituar 4-0, 5-0, 6-0 dhe 7-0. E pabesueshme! Si ndalohet Sterling? Fakti që do të luajë nuk është një lajm i mirë për ne. Ai është njëri prej më të mirëve në botë në rolin e tij. E kam parë edhe Rashford, nuk është i keq, as Abraham nuk ka luajtur keq. Anglia ka shumë lojtarë të mirë, luan apo jo Sterling.
Ne duhet ta bëjmë një lojë të madhe ndaj anglezëve. Nëse i jep shumë hapësira Sterling, është e pamundur ta ndalësh. Vetëm si ekip mund të kemi zgjidhje. Nëse do të mund të bënim diçka, do t’ia thyenim këmbën, por ky nuk është stili yni“, përfundon trajneri i skuadrës dardane. /abcnews.al