Basketboll: Shqipëria thyen Qipron, na udhëheq Hysenagolli dhe një amerikan

schedule08:00 - 24 Shkurt, 2020

schedule 08:00 - 24 Shkurt, 2020

Kombëtarja shqiptare e basketbollit të meshkujve mundi Qipron dhe arriti fitoren e parë në eliminatoret e Europianit. Lojtarët e udhëhequr nga trajneri Afrim Bilali bënë një paraqitje shumë të mirë në Sallën Sportive “Goga Basket” në Durrës

Saktësisht është faza paraeliminatore, pasi prej kohësh nuk jemi si dikur. Gjithsesi, kombëtarja shqiptare e basketbollit të meshkujve arriti një fitore të bukur në ciklin e Europianit të vitit 2023, duke mposhtur Qipron.

Shifrat ishin 71-64 në Sallën Sportive “Goga Basket” të Durrësit dhe Shqipëria e trajnerit Afrim Bilali arriti fitoren e parë në dy ndeshje. Një reagim pas humbjes që mund të kishte qenë fitore, në fushën e Portugalisë, pësuar me diferencë të vogël, pas kryesimit deri pak minuta para fundit.

Në Sallën “Goga Basket” ndodhi e kundërta, pasi qipriotët kryesuan pas dy periudhave të para me 6 pikë avantazh, por lojtarët shqiptarë nuk u dorëzuan. Të udhëhequr nga Endrit Hysenagolli, Gerti Shima, Celis Taflaj, si dhe amerikani i natyralizuar si shqiptar, Dallas Mur, ata përmbysën rezultatin.

Amerikani Mur, që luan në Francë, ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 20 pikë. Hysenagolli u shpall lojtari më i mirë në fushë me vlerësim 23 pikë, ndërsa pati 13 pikë të shënuara, 11 topa në tabela e 2 asiste.  Taflaj shtoi 18 pikë e 7 topa në tabela, ndërsa Shima arriti në 9 pikë e 6 topa në tabela, por ndihmoi shumë me talentin dhe përvojën e tij.

Vlen të theksohet se trajneri Bilali kishte përzgjedhur shumicën e lojtarëve nga kampionati shqiptar, ndërsa Shqipëria ka shanse kualifikimi në një grup ku janë edhe Bjellorusia e Portugalia. Nëse zë një nga dy vendet e para, kalon në fazën eliminatore të Europianit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!