Regjisorja nga Kosova, Blerta Basholli thotë se tri çmimet kryesore që i mori në festivalin “Sundance Film Festival” për filmin “Zgjoi”, i kanë hapur shumë rrugë dhe po planifikon që të angazhohet në projekte të ndryshme. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ajo kritikon institucionet e Kosovës që gjithmonë, siç thotë ajo, e lënë kulturën në fund të listës së prioriteteve. Sipas Bashollit, kinematografia e Kosovës gjendet në një pozitë të çuditshme dhe shton se duhen investime financiare më shumë në këtë fushë.
Radio Evropa e Lirë: Filmi “Zgjoi” me regji nga ju zonja Basholli, është thënë se ka bërë historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”. Si i keni pritur ju këto çmime?
Blerta Basholli: Për ne ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm kur jemi pranuar në festival, sepse për mua, ndoshta se kam studiuar në Amerikë, po “Sundance Film Festival”, gjithmonë ka qenë prioritet. Nëse më kanë pyetur, normalisht se ne e kemi edhe kompaninë që e bën shitjen e filmit dhe i bën marrëveshjet edhe me festivale, por vetëm për “Sundance Film Festival” kam dashur të përzgjidhem dhe u kam thënë se kam dëshirë të shkoj aty, e pastaj për të tjerët bëni strategji se kah mendoni të shkoni. Nuk është se kam pritur se do të marrim çmime, për të qenë e sinqertë, edhe pse pas premierës, pyetjet e audiencës edhe pse ka qenë online, më kanë bërë të ndiej se njerëzve filmi u ka pëlqyer dhe që u ka lënë një përshtypje në një mënyrë apo tjetër.
Mandej, pas premierës, na kanë thirrur dhe na kanë treguar se kemi marr çmimin e parë të regjisë. Ai ka qenë çmimi i regjisë më të mirë, që për mua ka qenë një çmim i jashtëzakonshëm dhe jam ndierë e nderuar dhe normalisht që jemi emocionuar shumë, se tash kur konkurron, ke një shpresë, por nuk kemi qenë të sigurt dhe as që kemi besuar se do të marrim çmimin. Të nesërmen pastaj na kanë treguar edhe për dy çmime të tjera. Në fillim nuk e kemi ditur se kemi bërë histori, për të qenë e sinqertë, sepse nuk është që e kam përcjellur ndonjëherë se kush sa çmime i ka marr në “Sundance”, por mandej kur i kemi parë lajmet, na është dukur edhe më mirë që një film nga Kosova, pak për shkak të temës, pak për shkak të vendit tonë, pak për shkak vetes, që përveç që i morëm çmimet dhe bëmë histori, besoj se kjo do të na ndihmojë shumë.
Radio Evropa e Lirë: A ju kanë hapur rrugë të reja këto çmime?
Blerta Basholli: Po, na kanë hapur shumë rrugë sepse kemi pasur shumë takime dhe ende vazhdojmë të kemi takime shumë, kryesisht me Amerikë, por jemi duke diskutuar edhe me disa kompani në Evropë. Momentalisht e kam bërë edhe ekipin rreth vetes, që e kam një menaxher dhe tre agjentë, të cilët tash do të merren me punë, të më gjejnë punë në filma dhe në seriale sepse dëshiroj që të orientohen pak edhe nga serialet. Unë më herët kam punuar, por kam punuar vetëm në seriale vendore. Tash po kam dëshirë të zhvilloj edhe diçka timen, por fillimisht ndoshta edhe të punojë në seriale të tjera, për të bërë përvojë ndërkombëtare, e më pas, me shpresë që ta zhvilloj edhe serialin tim.
Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, ku ndodhet sot kinematografia e Kosovës?
Blerta Basholli: Kinematografia e Kosovës është në një pozitë të çuditshme, do të thosha. Kjo për shkak se është bërë një hap shumë i mirë, një zhvillim shumë i mirë edhe nëse merret nga aspekti i Qendrës Kinematografike, siç janë përkrahur projektet, përzgjidhen projekte shumë të mira dhe atë nuk mund ta mohojë askush, sepse projektet që përzgjidhen nga Qendra Kinematografike, po kanë sukses secili, jo vetëm filmi “Zgjoi”, por pothuajse secili, sidomos po flas për filma të gjatë, se edhe filmat e shkurtër po kanë sukses, por sidomos filmat e gjatë, po shkojnë në një festival të madh dhe shpesh po sjellin edhe çmime, gjë që tregon se është duke u bërë një selektim i mirë dhe një mbështetje e mirë e projekteve.
Mirëpo, fondet që jepen nga Qendra Kinematorgafike nuk janë të mjaftueshme dhe kjo mendoj se është goxha problem. Kjo për shkak se për shembull, neve na i ka dhënë 140 mijë euro. Ju me 140 mijë euro, nuk je producent mjaftueshëm për të hyrë në ndonjë shtet tjetër që të punosh. Zvicra ka hyrë me ne në bashkëprodhim, mirëpo, Zvicra na i ka dhënë 100 mijë euro. Ata nuk kanë interes për të hyrë në bashkëprodhim, sepse faktikisht po janë të barabartë me ju në financa, nuk janë ata bashkëproducentë, por janë producentë.
E në njëfarë mënyre, ne kemi pasur fat, që kanë hyrë fonde zvicerane, por edhe televizioni. Në raste të tjera, nuk hynë shtete të tjera, për shembull Franca, Gjermania, nuk duan të dëgjojnë dhe tani ju e bëni filmin vetëm me shtete në rajon dhe e bëni me buxhet ultra të ulët, sepse buxhetet tona nuk quhen as buxhete të ulëta, por janë buxhete ultra të ulëta. Dhe njerëzit janë lodhur, do të thotë nuk po mundemi të formojmë ekip, nuk po mundemi ta formojmë industrinë e as kuadro. Njerëzit që kanë punuar me mua 4-5 vjet, sepse edhe unë kam punuar në gati të gjithë filmat që janë prodhuar pasi kam dëshirë të punoj në film, shumica e anëtarëve të ekipit tash ose kanë hyrë në televizion ose thjesht nuk duan të punojnë në filma, sepse nuk ka prodhim të mjaftueshëm, bëhet një film, më së shumti dy.
Radio Evropa e Lirë: Kjo pozita e çuditshme që thoni në kinematografinë e Kosovës, është për shkak të mungesës së buxhetit?
Blerta Basholli: Po sepse duhet të investohet. E çuditshme po them sepse është në pozitë të mirë, pasi po ka shumë suksese. Por, në anën tjetër, nuk është duke u zhvilluar, në kuptimin e industrisë. Unë punoj ndoshta që 10 vjet, jam kthyer në Kosovë dhe punoj në gati në çdo të dytin film dhe që 10 vjet, nuk po mundemi ta bëjmë ekipin, non-stop marrim njerëz nga Maqedonia e Veriut, nga Bullgaria, që i kemi kolegë dhe kalojmë shumë mirë me ta, sikurse edhe nga Shqipëria. Mirëpo, pse mos ta bëjmë edhe ne ekipin kur po bëhen kaq të mirë, kur ka regjisorë të mirë, aktorë të jashtëzakonshëm. Kemi njerëz të talentuar, problemi është se nuk ka stimulim që të prodhohet më shumë dhe që të zhvillohet industria. Industria nuk po zhvillohet, individualisht po kalojnë projektet, mirëpo industria dhe ekipi jo. E kam përshtypjen se ka stagnuar edhe pjesa tjetër sepse nuk vijnë më njerëzit për të punuar me entuziazëm, as unë nuk punoj më me entuziazëm. E kam bërë një film me entuziazëm, po nuk mundem më. Nuk mundem ta bëjë sepse është sakrificë e madhe, janë 5 vjet të jetës intensive, që ju ia kushton një projekti.
Radio Evropa e Lirë: A mund të nxirren më shumë rrëfime për filma nga lufta e Kosovës?
Blerta Basholli: Po, pa dyshim. Edhe si artist kur ta kërkojnë biografinë, kërkojnë që të kesh një histori dhe iu lë shumë më shumë përshtypje, kur ju keni kaluar në disa sfida të caktuara në jetë, në vendin ku jeni rritur dhe keni një kulturë … Unë mendoj se kemi shumë tema si të para luftës, si të luftës, normalisht edhe neve na duket që janë 20 vjet prejse u krye. Zakonisht për film thuhet – e nuk do të thotë se është ashtu sepse ajo është relative – se pas 50 vjetësh, del filmi i mirë se edhe dihen faktet realisht, se pak më shumë i distancuar prej asaj që ka ndodhur, në anën tjetër lindin ide më të mira. Mendoj se lufta, në kuptimin e filmave, të jep shumë mundësi dhe shpresoj të bëhen sa më shumë filma.
Radio Evropa e Lirë: A duhet vetëm lufta të sjellë filma apo ka edhe tregime tjera?
Blerta Basholli: Mendoj se kemi shumë tregime. Ne kemi tregime të paraluftës, të luftës, e të pasluftës dhe kemi tregime të ditëve të sotme. Pak e kam përshtypjen që jemi tekur me disa tema që lidhen me luftën, mirëpo në të njëjtën kohë, nuk janë bërë mjaftueshmë filma për luftën, që edhe të depërtojnë. Mirëpo, unë mendoj se ka tema dhe e mira është që po shoh se ka regjisorë të rinj, sepse jam edhe ligjëruese e jashtme në Fakultet të Arteve, dhe po shoh se studentët po kanë tema shumë më kreative. Dikush ka dëshirë të bëjë film horror, dikush ka dëshirë të bëjë dramë, komedi, e dikush edhe filma fantazi, e që normalisht, ata nuk kanë shumë shpresë sepse mund t’i bëjnë këtu. Unë sa po mundem po i motivoj, pasi mendoj që fillimisht mund të bëjnë diçka më të thjeshtë, të tregojnë se dijnë të bëjnë dhe pastaj të depërtojnë edhe me fonde të jashtme. Kështu që ka tema shumë dhe regjisorët e rinj kanë interes për të bërë filma.
Radio Evropa e Lirë: Sa është prezente Kosova në arenën ndërkombëtare me filma?
Blerta Basholli: Jo aq sa ka potencial në kuptimin artistik dhe intelektual të fjalës. Mirëpo, në aspektin e festivaleve, mendoj se jemi goxha të pranishëm edhe që kjo prani veç po rritet. E thash edhe më herët se secili film po udhëton në festivale dhe atë në festivale të mëdha e të rëndësishme të botës, dhe që është shumë e vështire të hysh aty ku konkurrojnë 10 mijë filma nga e gjithë bota. Kështu që në aspektin e festivaleve, goxha mirë po arrijnë, por mendoj se duhet një motor, e ai motor është financiar sepse nga financat rritet industria, nga industria rritet ekipi, pastaj rritet prodhimi, rritet prodhimi i zhanreve të ndryshme dhe filmat mund të depërtojnë. Nëse mbesim vetëm në atë nivelin ultra të ulët të buxhetit për film, nuk e di sa do të na mbajë kjo.
Radio Evropa e Lirë: A bëhet puna e duhur në institucionet e Kosovës për zhvillim e artit në Kosovës?
Blerta Basholli: Jo. Unë vet kam qenë drejtoreshë e kulturës në Komunën e Prishtinës për dy vjet dhe aq sa kam ditur, jam munduar të ndryshoj diçka. Mirëpo unë e kuptoj që Kosova ka shumë probleme në shëndetësi, në arsim, në ekonomi, mirëpo ne nuk mund të presim të zhvillohet shëndetësia, arsimi dhe ekonomia, e pastaj kultura. Mendoj se shteti duhet të zhvillohet paralelisht, e kush mundet më mirë sesa kultura ta promovojë shtetin. Edhe sporti, por me sport qëndrojmë më mirë edhe me investime dhe depërtim në botë. Te kultura edhe në ministri e drejtori, në çdo departament që ka të bëjë me kulturën, e kam përshtypjen që gjithmonë është në listën e fundit të prioriteteve deri tash të çdo qeverie. Unë mendoj se nuk bëhet mjaftueshëm, duhet të bëhet shumë e më shumë. Kemi nevojë të investojmë si në trashëgimi, kulturë si në të gjitha artet pamore dhe jo vetëm në film./REL