Bashkimi Evropian: Nuk do të rinegociojë Brexit

schedule22:00 - 1 Gusht, 2019

schedule 22:00 - 1 Gusht, 2019

Bashkimi Evropian i ka bërë të qartë Britanisë së Madhe se nuk është i gatshme të rinegociojë një marrëveshje që rregullon daljen e ishullit nga Unioni.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andreeva ka deklaruar se Këshilltari i ri britanik për Evropën, David Frost, u takua me zyrtarë të BE të cilët po negociojnë Brexit në emër të vendeve anëtare.

“Të dy palët përsëritën qëndrimet e tyre. Bisedimet për marrëveshjen e tërheqjes nuk do të rihapen”, tha Andreeva.

Ajo shtoi se kryeministri britanik Boris Johnson do të ketë mundësinë të diskutojë Brexit me zyrtarë të Bashkimit Evropian në Samitin e G7, i cili do të zhvillohet në Francë nga 24 deri në 26 Gusht.

Kryeministri britanik ka përsëritur kohët e fundit se vendi i tij do të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 Tetor, pavarësisht rrethanave, dhe theksoi se ai planifikon ta bëjë këtë përmes një marrëveshjeje.

Johnson u ka thënë më herët liderëve evropianë se do të negocionte Brexit me ta kur të ishin gati për të ndryshuar qëndrimet për marrëveshjen për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.