Sot u mbajt Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme e FSHF-së, aty ku u miratua statuti i ri. Presidenti Duka mori fjalën i pari, duke bërë një bilanc të punës së kryer, objektivave të arritur dhe atyre që do realizohen në të ardhmen.
Gjithçka u bë virtualisht për shkak të situatës së pandemisë, teksa folën edhe përfaqësuesit e FIFA-s dhe UEFA-s. I vetmi klub shqiptar që mungoi ishte Luftëtari. 59 nga 60 klube morën pjesë, ndërsa bluzinjtë nuk iu përgjigjen ftesës.
Gjatë Asamblesë së sotme u vendos shkrirja e Komisionit të Disiplinës dhe atij të Etikës në një të vetëm, njësoj siç ndodh në UEFA dhe FIFA. Disa ndryshime edhe në statutin e FSHF-së.
CAKTIMI I VËZHGUESVE, KOMISIONI I NUMËRIMIT TË VOTAVE: Besnik Kapllani, Brajan Fraholli, Gjergj Petro.
EMËRIMI I DELEGATËVE PËR TË VERIFIKUAR PROCESVERBALIN E ASAMBLESË: Nderim Nexhipi, Ylli Çekiçi, Olsi Dranga.
*Nga 60 anëtarë 59 prezent në asamble. Vetëm Luftëtari mungon, pasi nuk ka pasur asnjë përgjigje nga klubi gjirokastrit që është përjashtuar nga Kategoria e Parë dhe praktikisht klubi është i falimentuar për shkak të borxheve të shumta që detyroi FIFA-n t’u bllokonte merkaton.
* Rendi i ditës; Duka: “Objektivi kryesor është përmirësimi i Statutit të FSHS-së, në përputhje me statusin standard të FIFA dhe UEFA, në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar. Qëllimi ka qenë përafrimi me këto statute, përmirësimi i pavarësisë politike të organizatës, ndryshimin e kompetencave dhe ndarjes së pushteteve, nga vendimmarrje në Komitetin Ekzekutiv në vendimmarrje në Asamblenë e Përgjithshme, për t’i dhënë më shumë autoritet Asamblesë për komisionet juridike, rregullat, kodet e drejtësisë sportive, si dhe të gjithë pushteteve të tjera. Në statutin e vjetër mbase disa gjëra kanë qenë jo të menduara mirë. Fëmijët kanë qenë të papërfaqësuar, femrat apo futbolli amator. Ky statut i përmirëson dhe i rregullon këto balanca. Në lidhje me draftin e propozuar, që është punuar nga specialistë të FIFA dhe UEFA, si dhe nga juristët tanë, është miratuar me unanimitet nga Komiteti ekzekutiv. Një raport më të plotë mund ta japë z. Topçu.
*Aldi Topçiu: “Në vijim të asamblesë së marsit, grupi i punës ka punuar me departamentin juridik dhe ka shkëmbyer mendime dhe eksperienca nga gjithë Europa. Në projekt-statut u përfshinë dispozitat detyruese të nenit 4 të Statutit të FIFA-, siç janë ato të detyrimit për besnikëri, detyrimit për njohjen e ligjeve të lojës, detyrimi për njohjen e juridiksionit të CAS Lozanë, detyrimin për pavarësi politike dhe nga palë të treta. Më tej procesi ka vijuar me diskutime të tjera.
Risitë kryesore të këtij projektstatuti janë: pavarësia politike dhe institucionale, zgjerimi i bazës së anëtarëve, rritja e kompetencave të asamblesë, duke zgjedhur të gjitha organet juridike si dhe shkrija e komisioneve juridike, si Disiplina dhe Etika në një komision të vetëm, që nga sot e tutje do të quhet Komisioni i Disiplinës dhe Etikës, në respekt të modelit të UEFA-s.
Lidhur me pavarësinë politike, do të shkëputim ndër të tjera jo vetëm aspektin e pavarësisë politike të Federatës Shqiptare të Futbollit, por tashmë edhe detyrimin e anëtarëve (klubeve) për të marrë vendime pa u ndikuar nga palë të treta, detyrim ky i cili do të sanksionohet në Statut. Ky detyrim do të jetë edhe për personat që do të zgjidhen në komisionet e pavarura, si dhe në komisionet juridike, duke nisur nga asambleja e ardhshme.
Sa i takon zgjerimi të bazës së anëtarëve, grupi i punës është përpjekur të gjejë një barazi ideal në përfaqësim mes futbollit amator dhe atij profesionist. Kjo do të thotë se duke nisur nga asambleja e ardhshme, pesha specifike e klubeve profesioniste dhe klubeve amatore do të jetë në kushtë të barabarta. Për herë të parë klubet e Kategorisë së Dytë dhe të Tretë dhe klubet e femrave që nuk përfaqësohen në klubet profesioniste, do të kenë të drejtën e përfaqësimi indirekt në Asamblenë e Përgjithshme”.
Risitë kryesore të këtij projektstatuti janë: pavarësia politike dhe institucionale (nuk lejohen personat e përshirë në politikë në pesë vitet e fundit të garojnë për pozicione të ndryshme, president apo pjesëtarët të komisioneve të ndryshme)
Nuk lejohet të kandidojë asnjë ish politikan apo politikan. Lidhur me rritjen e kompetencave të Asamblesë, është punuar në arritjen e një balance mes Komitetit Ekzekutiv dhe Asamblesë së Përgjithshme. Kjo e fundit, si organi më i lartë vendimmarrës i FSHF, do të ketë tashmë të drejtë të zgjedhë jo vetëm Komitetin Ekzekutiv, por edhe anëtarët e komisioneve të pavarura dhe juridike, me anë të një procesi standard. Ky projekt-statut është një hap drejt demokratizimit të federatës, sikurse edhe më gjithëpërfshirës.
*Duka: Nëse ka dikush ka diçka në lidhje me statutin, mund të flasë. Drafti ka kohë që është shpërndarë dhe nuk ka pasur vërejtje. Nëse nuk ka, atëherë le të kalojmë në proces votimi. Nëse jo, fjala për Shulkun për të votuar. Topçiu mund të sqaroni si funksionon votimi.
*Topçiu: Votimi do të bëhet në bllok dhe kalon me 2/3-at e votave. (Statuti i ri u miratua me 56 vota pro dhe një abstentim). /abcnews.al