Bashkia Tiranë i lë 10 ditë afat FRD-së që të lirojë ambientet

schedule13:43 - 13 Mars, 2021

schedule 13:43 - 13 Mars, 2021

Bashkia Tiranë i ka lënë 10 ditë afat Partisë Fryma e Re Demokratike që të lirojë ambientet. FRD-së i  është bërë thirrje që  brenda 23 marsit duhet të jenë marrë masa për lirimin e ambienteve.

Nga ana tjetër, kryetari i kësaj partie Sali Sehu ka deklaruar se kjo është rruga ligjore e komunikimit dhe jo ato që ai cilësoi si “akte të dhunshme bandistike.”

“Nëse ky dokument do të kishte ardhur as dje nuk do të kishte ndodhur asnjë nga ato që u panë, por do të ishim në gjykatë për ta zgjidhur çështjen,” shton ai.

Kujtojmë se policia e Bashkisë së Tiranës zbarkoi të premten në zyrat e FRD-së në qendër të Tiranës duke kërkuar lirimin e tyre. Në derën kryesore të selisë së FRD-së u vendos një shënim ku kërkohet “lirimi i menjëhershëm i ambienteve për qëllime sistemimi”.

Bëhet fjalë për ambientet e katit të tretë, ku Bashkia e Tiranës shpjegoi dje  përmes një letre dërguar kreut të partisë Sali Shehu se duhen bërë ndërhyrje me qëllim mirëmbajtjen pasi hapësira është pronë e bashkisë.

Më vonë gjatë së premtes, ishte presidenti i Republikës Ilir Meta ai që u përplas me Policinë Bashkiake në zyrat e FRD-së.

Meta kërkoi nga policia e Bashkisë së Tiranës që të largoheshin nga ambientet e FRD-së pasi sipas tij po shkelnin ligjin duke synuar nxjerrjen jashtë të kësaj partie nga zyrat. Meta reagoi ndërkohë që ishte në një takim me kreun e partisë për çështjen në fjalë duke thënë se policët duhej të largoheshin ndryshe do t’i çonte me duart e tij policët ne burg.

Pse po ndodh përplasja?

Zyrat ku ndodhet FRD janë në pronësi publike të administruara nga Bashkia e Tiranës. Nisur nga kjo, bashkia i ka dërguar kësaj partie një shkresë ku kërkon lirimin e katit të tretë pasi godina ishte amortizuar dhe aty do të bëheshin punime. Gjatë mëngjesit të sotëm nga zyrat janë hequr tabelat identifikuese të partisë, ndërsa më pas iu shkëput edhe energjia elektrike.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!