Bashkia e Tiranës krijon rezervat për përballimin e emergjencave

schedule15:18 - 25 Tetor, 2017

schedule 15:18 - 25 Tetor, 2017

Bashkia e Tiranës ka krijuar rezervat e qytetit për përballimin e Emergjencave Civile. Ndërkohë, sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, po vijon aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje mbi kolektorë.

Ushqime dhe veshmbathje janë mbyllur në magazinë.
Do të nxirren prej këtej në rast se kryeqyteti do të përballet me ndonjë rast emergjence për tu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.
Bashkia e Tiranës ka krijuar rezervat e qytetit.

“Tirana është gjithmonë një hap përpara; po mendojmë për ditët e ftohta dhe me shi, kur mund të kemi emergjenca civile. Këto janë të pashmangshme dhe pavarësisht histerisë, as kryetari i Bashkisë, as Kryeministri apo kushdo tjetër nuk mundet ta ndalojë shiun apo të rregullojë infrastrukturën e keqndërtuar ndër vite, që janë kryesisht ndërtime pa leje buzë lumenjve apo në hapësira të tjera publike. Por, ajo që mund të bëjmë është që kur të vijë dita e keqe, të na gjejë të përgatitur”.

Paralelisht me përgatitjet për situata emergjente që mund të vijnë si pasojë e reshjeve të shiut apo temperaturave të ulëta, bashkia ka nisur punën edhe për parandalimin e përmbytjeve në zonat pranë lumenjve të cilat po i pastrojnë nga inertet. Ndërkohë, krybashkiaku paralajmëroi vijimin e aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje mbi kolektorë.

“Përveç përgatitjes për emergjencat, të gjithë e kanë vënë re se gjatë verës kemi bërë punë në infrastrukturë, duke pastruar lumin e Lanës, kemi hequr qindra ton inerte, kemi pastruar kanalet e ujërave të zeza në pritje të shirave, te Lumi i Tiranës kemi bërë prishjet e fundit për të mbyllur barrierat e për t’u siguruar që në shirat e ardhshëm të mos kemi ujë që futet nëpër lagje. Do të vazhdojmë me prishjet e ndërtimeve pa leje, sidomos mbi kolektorë, për të dhënë edhe një mesazh që tahfmaja e një njeriu nuk mund të kthehet në fatkeqësi për 1 milionë të tjerë”, theksoi Veliaj.

Qyteti sipas kryetarit të bashkisë, mund të përballojë 200-300 raste problematike në raste emergjencash. Veliaj u bëri thirrje biznesve dhe qyetarëve të kontribuojnë me sa të munden. Filmimet iu shpërndanë medias nga zyra e shtypit e bashkisë.