Bashkia e Përrenjasit, 100 milionë lekë për stadiumin

schedule13:31 - 13 Shkurt, 2019

schedule 13:31 - 13 Shkurt, 2019

Bashkia e Përrenjasit parashikon të ndërtojë një stadium futbolli, por me një investim disa herë më të madh sesa fondet vjetore për problemet sociale të qytetit. Për më tepër, projekti është ndryshuar disa herë, ndërsa ka probleme me pronarët e tokës.

Për momentin aty nuk ka asgjë që të kujton sportin. Bashkia e Përrenjasit ka menduar jo vetëm të rikonstruktojë fushën e shkatërruar prej kohësh, por edhe të ndërtojë një stadium, veçse me një fond të stërmadh, dhe me dyshime të forta për fituesin e tenderit.

Emisioni “Stop” në TV Klan informon se investimi, bashkë me TVSH-në, parashikohet 100 milionë lekë të rinj.

Vetë kryetarja e Bashkisë, Miranda Rira, pohon se fondi për stadiumin e tejkalon disa herë fondin e investimeve vjetore, që përfshin shkolla, kopshte apo rrugë.

Jo vetëm kaq, por emisioni zbulon se projekti për stadiumin është ndryshuar 4 herë në muajt dhjetor-janar, dhe se tenderi është fituar nga kompania Zdravo, një kompani që fiton thuajse çdo tender në Bashkinë e Përrenjasit, diçka që për hir të së vërtetës nuk është fenomen vetëm i kësaj bashkie.

Ndryshimet në projekt kanë sjellë heqjen e katër ndriçuesve të parashikuar në variantin e parë.

Po ashtu, parashikohet që sipërfaqja e tapetit të barit të jetë shumë më e vogël sesa sipërfaqja e fushës.

Problemi i fundit, por jo për nga rëndësia, është ai që ngrenë ata që e quajnë veten pronarë të tokës./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!