Bashkia e Kukësit rriti taksat, shoqata thirrje Ramës: Ndërhyni për ta ndaluar, mos na injoroni

schedule11:30 - 24 Dhjetor, 2020

schedule 11:30 - 24 Dhjetor, 2020

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme i kërkon qeverisë që të reagojë për të bllokuar rritjen e taksave në bashkinë e Kukësit, që u miratua ditën e djeshme nga Këshilli Bashkiak. AREA thotë se i kishte kërkuar kryeministrit Edi Rama shtyrjen e vendimmarrjes për aplikimin e taksave të reja për shkak të pandemisë. Por, vijon më tej deklarata, “në injorim total të situatës nuk u dëgjuan”.

“Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) shpreh shqetësimin e thellë për vendimin e sotëm të Këshillit Bashkiak të Kukësit, që rrit në mënyrë arbitrare dhe të pajustifikueshme taksat dhe tarifat vendore, duke rënduar situatën e tyre financiare, pa u ofruar asnjë shërbim atyre.

Vendosja e taksave shtesë absurde si ato për linjat elektrike ajrore, apo për tubacionet të vendosura nëntokë, tregojnë qartazi frymën anti-biznes dhe godasin, në një kohë të vështirë për të gjitha sipërmarrjet që po vuajnë në çdo drejtim pasojat e pandemisë, një prej sektorevë kyç të ekonomisë në vend, siç janë prodhuesit e energjisë.

AREA është e befasuar nga shpërfillja që u është bërë nga Bashkia e Kukësit shqetësimeve të prodhuesve të energjisë së rinovueshme që operojnë në territorin e kësaj bashkie, të cilët janë gjithashtu taksapaguesit më të mëdhenj të Bashkisë së Kukësit për vite me radhë. Ky vendim vjen në një kohë kur AREA është në proces gjyqësor me Këshillin Bashkiak të Kukësit, i cili i vendosi për herë të parë, 1 vit më parë, një tjetër tarifë këtij sektori, atë për “mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit”,  nga e cila nuk përfiton asnjë nga prodhuesit e energjisë.

Bashkia e Kukësit dhe Këshilli Bashkiak nuk kanë reaguar deri tani për asnjë nga shqetësimet e paraqitura nga AREA dhe as ndaj kërkesave për konsultime, duke u sjellë jo si partnerë të sipërmarrjeve që kanë sjellë zhvillim e punësim me investimet prej miliona eurosh në territorin e saj, por duke i goditur ato në mënyrë të vazhdueshme dhe të paprecedent.  Në një shkresë dërguar Kryeministrit të vendit, Z. Edi Rama, AREA kishte kërkuar shtyrjen e vendimmarrjes për aplikimin e taksave të reja për shkak të pandemisë, teksa po për të njëjtin shkak edhe seancat gjyqësore për tafirën për “mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit” janë shtyrë.

Në injorim total të situatës, ku në asnjë vend të botës nuk ka rritje të taksave për biznesin dhe qytetarët si pasojë e pandemisë, Këshilli Bashkiak i Kukësit bëhet i vetmi institucion vendimmarrës që rëndon biznesin dhe qytetarët në një kohë krize të paprecedent si kjo. AREA i kërkon Këshillit të Ministrave të ndërhyjë për ta zbrapsur këtë vendim që dëmton një prej sektorëve më vitalë të ekonomisë së vendit dhe fton Këshillin Bashkiak të Kukësit që të pranojë ftesat tona për konsultime, të cilat ne besojmë se do t’i ndihmojnë këshilltarët dhe drejtuesit e Bashkisë që të kuptojnë realisht ndikimin e vendimeve të tyre ndaj biznesit dhe ndaj qytetarëve” thuhet në deklaratë.

Në kohën kur pandemia ka goditur rëndë bizneset dhe familjarët, bashkia më e varfër në vend, ajo e Kukësit rriti dje taksat. Në relacionin drejtuar këshillit bashkiak, kryetari Safet Gjici propozoi rritjen e tarifave vendor për 2021. Këshilli bashkiak iu bind kërkesës së Gjicit (lexo ketu)/ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!