“Edhe Steve Jobs kështu e tallën fillimisht”, ka qenë ky krahasimi që i bëri opozitës zv/kryeministri Arben Ahmetaj opozitës ndërsa nga foltorja e Kuvendit i bënte thirrje që t’i japin rëndësinë e duhur ligjit për bashkëqeverisjen.
Ahmetaj, sërish duke iu drejtuar opozitës, tha se “do të na tallin qytetarët nëse kësaj platforme nuk i jepet rëndësia e duhur.”
“Nëse një qytetar nuk e gjen të drejtën në zyrën e shërbimeve lokale, merr kilometra të tëra që të takojë deputetin, të shkojë të drejtori i përgjithshëm në Tiranë….Që ju të mos i thoni më nuk kemi mundësi. Ju do bëheni pjesë e platformës, do të bashkëqeverisim me inovacion.”
Zv/kryeministri tha se ky ligj do të na ndihmojë në shërbimet e administratës dhe në uljen e korrupsionit. Kjo ka qenë ëndrra jonë, tha Ahmetaj, të bashkëqeverisim me ju që të mos e shani më administratën por ta kritikoni.
“Do t’u japim të drejtën të vini këtu e të thoni… bëjeni tuajën platformën për të na kërkuar llogari, ku dështuam sepse edhe do të dështojmë ndonjëherë. Votën e morëm ne, po kjo s’do të thotë që të mos kemi mundësi të bashkëqeverisim.”
Ahmetaj i tha opozitës se ky është rasti që të mos bëjnë rolin e populistit por të “bashkëqeverisin në mënyrë inovative.”
Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku deklaratat e Ahmetajt i cilësoi si batuta dy lekëshe ndërsa i kujtoi se sot duhej të ishte duke dhënë llogari përpara SPAK-ut. /abcnews.al/