“Bashkëjetesa fetare më ka lënë mbresë, nuk ndodh kështu në botë”, historiania britanike: Arkeologjia mund të zbulojë shumë për Shqipërinë

schedule21:20 - 18 Shtator, 2023

schedule 21:20 - 18 Shtator, 2023

Gjatë intervistës me gazetarin Sokol Balla në emisionin ‘Real Story’, historiania britanike Bettany Hughes theksoi se bashkëjetesa fetare në Shqipëri i kishte lënë shumë mbresë, sipas të cilës, një gjë të tillë vështirë ta gjesh nëpër botë. Ajo shtoi se arkeologjia mund të zbulojë më shumë për vendin tonë.

Pjesë nga intervista:

Sokol Balla: Pas vitit 1967, komunistët shkatërruan të gjitha objektet fetare në vend, dhe besoj se ka të bëjë me këtë. Gjithashtu Berati dhe historia e tij nuk marrin vëmendje të mjaftueshme. Kështu që faleminderit për çka keni bërë.

 Bettany Hughes:  S’ka përse. Ju e dini historinë. Një nga gjërat që diskutojmë është kjo ngjarje e pabesueshme dhe frymëzuese ku familjet e Beratit mbështetën, fshehën dhe strehuan familjet hebreje në Berat dhe gjetkë në Shqipëri. Dhe siç e dini kishte më shumë familje hebreje në fund të luftës së sa në fillim të saj …

Sokol Balla: Vendi i vetëm besoj …

Bettany Hughes:   Është ngjarje unike që duhet ta tregonim, dhe nuk ka të bëjë me mjedisin …

Sokol Balla: Faktikisht bëhet fjalë për një vend me shumicë popullsie myslimane. Çfarë mendimi keni për pluralizmin e besimeve fetare në këtë vend?

Bettany Hughes:    Berati është shembull i mirë. Kur vajtëm për të filmuar, sapo ishin kremtuar Pashkët Ortodokse dhe Ramazani ishte në mbyllje, dhe mu pranë njëri-tjetrit pamë një hënë myslymane me drita dhe një vezë gjigante pashke, që është simbolikë me rëndësi dhe është vend shumë interesant kur ka edhe shumë Bektashi, të cilët më janë vetëpërshkruar si myslimanë me përfitime.

 Sokol Balla: Edhe me pak alkool me vete.

 Bettany Hughes:   Po, po, tamam. Dikush më tha që dallimi midis një shtëpie myslimane dhe një të krishtere është se në shtëpitë myslimane hiqen gjithmonë këpucët te dera, megjithëse kjo nuk është vërtetë gjithmonë. Por bashkëjetesa e besimeve dhe identiteteve fetare është jashtëzakonisht e mirë. Sheh një komunitet që mund të ketë mënyra të ndryshme të të shprehurit të besimit të tyre, apo të të kuptuarit të shoqërisë, por kjo nuk do të thotë që nuk e duan njëri-tjetrin ose që nuk shkojnë mirë si fqinj. Më duhet ta them se kjo më ka lënë realisht mbresë. Dhe siç e dini, nuk ndodh kështu gjetkë në Ballkan apo në botë. Njerëzit kënaqen tek i kthejnë krahët njëri-tjetrit dhe duke u ndarë në besime, dhe megjithëse kjo sjellje mund të vijojë gjatë, nuk arrij ta perceptoj këtu në Shqipëri.

Sokol Balla: Në serialin e parë ju jeni përqendruar në veri dhe përveç të tjerave, në disa raste keni përmendur edhe krishterimin dhe historinë e tij në këtë vend, gjithashtu.

Bettany Hughes: Po. Po, e drejtë. Dhe kjo histori është e lashtë.

Sokol Balla: Sepse, fatkeqësisht ky rajon nuk është i qetë, as ndër shekuj dhe as në dhjetëvjeçarin e fundit. Ka pasur përplasje dhe diskutime dhe mospërputhje dhe kombe që i shohin vende të tjera me superioritet, dhe në kuptimin e keq të fjalës rreken ta kategorizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët si vend mysliman. Jemi shumë krenarë për trashëgiminë tonë dhe nuk ndihemi më pak evropianë si pasojë e shumë besimeve tona, duke qenë se tashmë ka xhami në mes të Nju Jorkut dhe në vende të tjera ku ka xhami të mëdha dhe nuk ka asgjë të keqe, por për këtë arsye ju pyes nëse ky vend historikisht dhe në origjinën e vet i ka përkitur krishterimit?

Bettany Hughes: Ka prova të pashmangshme të hershme të krishterimit në ato vende arkeologjike të pabesueshme në liqen që i përmendët, ku ka kryqe të hershme dhe një bashkësi që ka pasur marrëdhënie të qarta me Kostandinopojën, që tani është Stambolli. Fakti entuziazmues për Shqipërinë është që ka shumë për të zbuluar në arkeologji. Dimë që ka bashkëjetesë të myslimanëve dhe të krishterëve, por gërmimi i tokës do të na flasë për ekuilibrat dhe përqindjet, dhe këto nuk janë zbuluar ende. Pra, është një rajon ku padyshim ka bashkëjetesë të besimeve përgjatë kohërave, dhe unë vetë jam pak e fiksuar me bektashinjtë, më duhet ta them se…

Sokol Balla: Unë jam çerek Bektashi.

Bettany Hughes: Vërtetë? Prandaj po shkojmë kaq mirë. Besim i mahnitshëm që bazohet tek mikpritja e të huajve dhe miqve në shtëpinë tënde. Isha në një Teqe gjatë episodit të parë. Kalova momente shumë të bukura dhe ishte hera e parë që dëgjova një shprehje fantastike që e kam dëgjuar vetëm në Shqipëri, “Të lumshin këmbët që të sollën deri këtu!” Kjo është prekëse, dhe ide kaq e bukur, që thotë se je i mirëpritur vetëm se je udhëtar. Prandaj, siç edhe është e dukshme, jam kaq e entuziazmuar që jam këtu. Është për shkak të historisë së pasur që njohim dhe për shkak të historisë së pasur që nuk kemi zbuluar ende.

Sokol Balla: Edhe ne jemi të lumtur që ju kemi këtu.

Bettany Hughes: Është kënaqësi që u ktheva! Tani që kam rënë në dashuri me këtë vend nuk më hiqni qafe kollaj. Do të vij përsëri dhe përsëri. Duam të bëjmë më shumë!

Sokol Balla Jeni gjithmonë e mirëpritur. Faleminderit shumë për gjithçka bëni me punën tuaj, veçanërisht për ne. Ishte vërtetë kënaqësi, Ju Faleminderit!

Bettany Hughes: Kënaqësi që patëm mundësi të diskutojmë! /abcnews.al