Basha uron Presidenten Vjosa Osmani: I bindur që do të unifikojë politikën për njohje reciproke me Serbinë

schedule20:28 - 4 Prill, 2021

schedule 20:28 - 4 Prill, 2021

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar Presidenten e re të Kosovës, Vjosa Osmani. Basha shkruan se është i bindur, që Vjosa Osmani do të mundësojë unifikimin e faktorit politik në Kosovë për të zgjidhur problemet e vendit.

Më tej ai shton se Osmani do të mundësojë arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë dhe progresin drejt integrimit euroatlantik.

Urimi i Bashës:

Urimet më të përzemërta Vjosa Osmanit për zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës.

Jam i bindur se presidentja Osmani do të mundësojë unifikimin e faktorit politik të Kosovës për të adresuar drejt sfidat që vendi ka përpara, garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë dhe progresin drejt integrimit euroatlantik.

Si përherë, sot dhe nesër në qeverisje të vendit, PD dhe unë qëndrojmë në krah të Kosovës, në mbështetje të qytetarëve dhe institucioneve të saj, për ti përballuar së bashku të gjitha sfidat e për të forcuar bashkëpunimin mes nesh në dobi të zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve tanë. Punë të mbarë Presidente Osmani! E.L/abcnews.al/