Kreu i Partisë Demokratike në vijim të turit të tij të takimeve nëpër Shqipëri, këtë të martë është ndaluar në zonën e Zall-Bastar-it në Tiranë.
Kryedemokrati Basha është takuar me fermerët e zonës, të cilët i shprehën shqetësimet dhe vështirësitë e shumta.
Basha ka akuzuar qeverinë se i ka lënë në harresë të gjithë qytetarët që merren me bujqësi, duke theksuar se subvencionet i marrin vetëm personat që janë të lidhur me qeverinë.
“Ndonëse prodhimet janë të një cilësie të lartë, ka një vështirësi për ta kthyer djersën e tyre që u rrjedh rrëke, në të ardhura. Mungesa totale e mbështetjes nga shteti, mungesa e subvencioneve. Kjo është Shqipëria reale dhe jo filmat me regji qendrore, të gjithë fermerët shqiptarë janë të braktisur nga kjo qeveri. Nuk ka subvencione, edhe pse është një praktikë që e ndjek BE, që prej vitesh e ndjek dhe Maqedonia e Veriut. Fermeri shqiptar nuk merr asnjë mbështetje, mbi qafën e tyre rëndojnë edhe abuzimet. Gjysma e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë jetojnë me bujqësinë, janë lënë në harresë, a thua se nuk janë qytetarë të këtij vendi, nuk paguajnë taksa. Braktisje totale harresë totale nga qeveria. Dhe ato që vendosin në buxhet si subvencione i përfitojnë tre persona që janë të lidhur më ta. Kjo gjendja është arsyeja pse vendi është në krizë të thellë ekonomike. Krahas mbështetjes për biznesin e vogël, Prioritet absolut është fermeri shqiptar, agroturizmi”, është shprehur Basha.
Ndër të tjera lideri i opozitës ka premtuar se PD, sapo të marrë pushtetin do t’i dedikojë jo më pak se 100 milion euro, si dhe do t’i mbështesë me infrastrukturë.
“Prej vitit të parë do dedikojmë një shumë jo më pak se 100 mln euro për fermerët shqiptarë në bazë të prodhimit, bujqësor apo blegtoral dhe agro-përpunimit. Do mundësojmë që prodhimet e tyre të jenë konkurruese në treg. Popullsi të jeton me tokën mos të jetë në kufi të mbijetesës. Mungesa e infrastrukturës mbështetëse është thelbësore për fermerët, nuk janë riparuar rrugët, nuk ka asnjë sistem për vaditje apo kullim”, ka thënë ai. /abcnews.al