Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka takuar ambasadorin e ri të Italisë në Shqipëri. Përmes një statusi në facebook Basha thotë se “Shpreha besimin se ambasadori Bucci do të luajë një rol aktiv dhe nxitës për zgjerimin e hapësirave të bashkëpunimit”. Ai e vendos theksin tek “ekonomia dhe punësimi përmes mbështetjes për investimet italiane në Shqipëri, integrimi europian, lufta kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar”.
Statusi i plotë
Gjatë takimit të parë me ambasadorin e ri italian, z. Fabrizio Bucci, konfirmova miqësinë e ngushtë dhe historike mes dy popujve tanë dhe qendrimin e Partisë Demokratike se Italia është një nga partnerët tanë strategjikë për Shqipërinë.
I shpreha ambasadorit Bucci bindjen e palëkundur se si në opozitë, ashtu edhe në qeverisje, PD do të jetë kontribuese kryesore për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Italinë mike dhe avokaten tonë të shkëlqyer për integrimin europian. Shpreha besimin se ambasadori Bucci do të luajë një rol aktiv dhe nxitës për zgjerimin e hapësirave të bashkëpunimit.
Ekonomia dhe punësimi përmes mbështetjes për investimet italiane në Shqipëri, integrimi europian, lufta kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar janë çështje kyçe për bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve tona mike dhe aleate.
/abcnews.al