Basha: Qeveria në ikje po saboton votën e diasporës! PD do ta bëjë realitet

schedule17:20 - 3 Tetor, 2020

schedule 17:20 - 3 Tetor, 2020

Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një bashkëbisedim online me aktivistë të lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”. Basha thotë se ata janë mjaft të suksesshëm në aspektin profesional por kjo nuk i ka larguar nga përkushtimi ndaj vendit të tyre. Kreu i PD thekson se vota e diasporës po sabotohet me qëllim nga qeveria në ikje e socialistëve, por kjo shton ai, do të frenohet nga PD pas ardhjes në pushtet. Ai shprehet se Shqipëria ka nevojë të rifitojë trurin e emigruar të këtyre 30 viteve.

“Kënaqësi e veçantë të bashkëbisedoja me shqiptarë të zotë dhe me integritet, të cilët suksesi personal dhe profesional në të katër anët e botës nuk i ka larguar nga përkushtimi ndaj vendit.  Dëgjova me vëmendje mendimet e aktivistëve të lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” dhe vizionin e tyre për një Shqipëri demokratike, të zhvilluar dhe të integruar plotësisht në Bashkimin Europian. Vlerësova veçanërisht përpjekjen e tyre të drejtë dhe emancipuese për të mundësuar votën e diasporës shqiptare si dhe gatishmërinë për t’u përfshirë në procesin politik, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e shtetit institucional të së drejtës, që ofron një avantazh shumë të madh për vendin.

Gjatë takimit online me ta, shpreha brengën për sabotimin e qëllimshëm të votës së diasporës nga qeveria në ikje dhe rikonfirmova angazhimin tim personal dhe të Partisë Demokratike që të bëjmë realitet votën e diasporës që në zgjedhjet e para të përgjithshme pas ardhjes tonë në pushtet.  Shqipëria ka nevojë për ta rifituar trurin e emigruar gjatë këtyre 30 viteve dhe koha më e volitshme për këtë është sot”, shkruan Basha./mv. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!