Basha nga Fieri: Beteja vijon, 25 prilli u kthye në një ditë vjedhjesh, më të madhen në 30 vite

schedule11:10 - 14 Maj, 2021

schedule 11:10 - 14 Maj, 2021

Kryetari i Partisë Demokratike Luzlim Basha këtë të premte në kuadër të nismës së tij për të denoncuar krimet zgjedhore ka zhvilluar një takim me qytetarët në Fier.

Basha ka bërë me dije se kjo është një betejë që e nisën për shqiptarët dhe se do ta vijojnë për ta.

Ndër të tjera kryedemokrati ka bërë me dije se 25 prilli u kthye në një ditë vjedhjesh, më të madhen në 30 vite.

Sipas Bashës regjimi Rama-Doshi ka ndaluar përkohësisht ndryshimin që e duan të gjithë shqiptarët, edhe socialistët.

Midis një Partie Demokratike të zbritur në fushën e betejës vetëm me zjarrin dhe pasionin e shpirtit dhe misionin për t’i shërbyer qytetarëve dhe përballë me një kundërshtarë i cili riktheu të gjitha praktikat dhe metodat e regjimit të përmbysur në vitin 1992. Përmasat e asaj beteje, janë të patregueshme dhe të pa mbërthyeshme jo në një fjalim, por në dhjetëra fjalime, por gjurmët e asaj beteje janë kudo. Së pari, janë në angazhimin masiv të bashkëqytetarëve tuaj në Fier, Mallakastër, Roskovec, në Patos, në Lushnje, në Divjakë, të cilët kërkuan dhe morën nga ne, nga Partia Demokratike, nga ekipi ynë, nga të gjithë ju, nga ata mijëra të tjerë që nuk ndodhen sot këtu por që ishin natë e ditë me ju në çdo pjesë të betejës, shpresën, besimin se ndryshimi është i mundur. Dhe e shprehën atë me numra nga më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë ky qark në 30 vite pluralizëm. Padiskutim, pritshmëritë tona ishin më të larta. Padiskutim tmerri i kundërshtarit ishte në përmasat më të larta që ka patur ndonjëherë. Dhe kjo është arsyeja se pse betejës tonë qytetare dhe europiane me program, me ide, me zgjidhje, e cila preku çdo shtresë, çdo grup interesi, çdo moshë në çdo cep të këtij qarku dhe të gjithë Shqipërisë, Edi Rama dhe regjimi i tij ju përgjigj me shitblerje masive votash, me shkelje flagrante dhe kriminale të kodit zgjedhor, të vet atij kodi që votuan në mënyrë të njëanshme më 5 tetor, me punësime masive të paligjshme dhe të rreme. Që nga bashkia e okupuar, tek Alb-Petroli dhe çdo fushë tjetër”, ka thënë Basha.

Deklarata e plotë:

Midis një Partie Demokratike të zbritur në fushën e betejës vetëm me zjarrin dhe pasionin e shpirtit dhe misionin për t’i shërbyer qytetarëve dhe përballë me një kundërshtarë i cili riktheu të gjitha praktikat dhe metodat e regjimit të përmbysur në vitin 1992. Përmasat e asaj beteje, janë të patregueshme dhe të pa mbërthyeshme jo në një fjalim, por në dhjetëra fjalime, por gjurmët e asaj beteje janë kudo. Së pari, janë në angazhimin masiv të bashkëqytetarëve tuaj në Fier, Mallakastër, Roskovec, në Patos, në Lushnje, në Divjakë, të cilët kërkuan dhe morën nga ne, nga Partia Demokratike, nga ekipi ynë, nga të gjithë ju, nga ata mijëra të tjerë që nuk ndodhen sot këtu por që ishin natë e ditë me ju në çdo pjesë të betejës, shpresën, besimin se ndryshimi është i mundur. Dhe e shprehën atë me numra nga më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë ky qark në 30 vite pluralizëm. Padiskutim, pritshmëritë tona ishin më të larta.

Padiskutim tmerri i kundërshtarit ishte në përmasat më të larta që ka patur ndonjëherë. Dhe kjo është arsyeja se pse betejës tonë qytetare dhe europiane me program, me ide, me zgjidhje, e cila preku çdo shtresë, çdo grup interesi, çdo moshë në çdo cep të këtij qarku dhe të gjithë Shqipërisë, Edi Rama dhe regjimi i tij ju përgjigj me shitblerje masive votash, me shkelje flagrante dhe kriminale të kodit zgjedhor, të vet atij kodi që votuan në mënyrë të njëanshme më 5 tetor, me punësime masive të paligjshme dhe të rreme. Që nga bashkia e okupuar, tek Alb-Petroli dhe çdo fushë tjetër. Me presione të tmerrshme kriminale ndaj administratës, ndaj biznesit, ndaj sipërmarrjes në tërësi, ndaj familjeve të qytetarëve, ndaj mësuesve, ndaj mjekëve dhe ndaj personelit shëndetësorë në tërësi. Si me angazhimin e zakonshëm të aradheve të kriminelëve, të cilët bënin natën të vetmen fushatë të Edi Ramës, blerjen e votave nën kërcënim derë më derë. Kjo është tabloja e qartë që është shpalosur tashmë anembanë vendit. Për herë të parë ndoshta në histori, demokrat e socialist janë të një mendje pavarësisht se njëra palë e thotë me zë të lartë, e tjetra me zë të ulët. Vullneti i qytetarëve më 25 prill u tjetërsua. U tjetërsua përmes përdorimit masiv të makinerisë shtetërore në kundërshtim flagrant me ligjin, u tjetërsua përmes vjedhjes dhe përdorimit si në kohët e sigurimit të shtetit të dhënave personale të qytetarëve për t’i intimiduar ata.

U tjetërsua duke e nxjerr zbuluar atë që e di gjithë bota, e di gjithë Europa, e di Amerika, të cilët janë shprehur qartë për nevojën për ndryshim. Binomin Rama-Krim, regjimin Rama-Doshi i cili kësaj radhë ka lënë gjurmët e gishtave kudo. Jo vetëm në Shkodër, por kudo, nga Vermoshi në Konispol, edhe këtu në Fier. Se çfarë programi ofroi Tom Doshi fierakëve, këtë pres të ma shpjegojë zonja ose zotëria më i zgjuar i Fierit, qoftë socialist apo jo. Sigurisht që nuk ka nevojë për shpjegim. Por ne sot nuk jemi këtu për të ulur kokën dhe për të thënë atë që e dinë të gjithë: që 25 prilli ishte ditë e një masakre elektorale të nisur muaj më parë. Ne jemi këtu në radhë të parë për të pohuar se ne u futëm në këtë betejë me vetëdijen e plotë se vetë në fushatën tonë, në shpirtrat tanë, në raportin tonë me qytetarët kishim zbritur në të njëjtin nivel dhe ishim rritur në të njëjtin nivel morali si ata. Për herë të parë që nga 91-shi pa asnjë pushtet, por me zemrat dhe mendjet e mbushura me hallet dhe problemet e tyre që nga naftëtarët e Ballshit tek fermerët e Myzeqesë, që nga pensionistët e mjeruar në ekstrem tek të rinjtë në dëshpërim, që nga bizneset e vogla për të cilat Fieri mban rekordin e mbylljeve përditë tek largimi dhe emigracioni masiv për të cili Fieri është qarku i dytë që është zbrazur më shumë pas Kukësit, por dhe me zgjidhje, jo pallavra, zgjidhje reale. Jo çfarë donin të dëgjonin të gjithë këta vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët tanë.

Por çfarë merrnim ne përsipër? Çfarë marrim ne përsipër? Sepse në fund të fundit këtë betejë ndryshe nga regjimi Rama-Doshi ne nuk e nisëm për veten tonë dhe për këtë provat i kemi dhënë të qarta. Kur ishte puna për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë e rrëzimit të regjimit në mënyrë të parakohshme ne dorëzuam edhe atë pushtet që kishim duke djegur mandatet jo për të tradhtuar besimin e atyre që kishin votuar demokratët siç na thonë sot disa si kofini pas të vjelit, por për t’u përballur siç u përballëm dhemb për dhemb. Pra, kjo betejë nuk ishte për pushtetin tonë, e kam thënë prej ditës së parë, e keni dëgjuar nga goja ime, e keni dëgjuar nga goja e përfaqësuesve tanë politikë, e kandidatëve tanë në çdo takim fushate. Ndaj dhe moto dhe mesazhi kryesor i fushatës tonë ngërthente atë që do çdo shqiptar, çdo shqiptar pa përjashtim: Bashkë për ndryshim, Shqipëria Fiton! Sepse beteja ishte për shqiptarët, sepse beteja vazhdon të jetë për shqiptarët. Sepse sot më shumë se kurrë ata kanë nevojë të shpresojnë, të besojnë dhe të drejtohen e të udhëhiqen për t’i nxjerrë nga një hall i cili është edhe më i madh se ai që kishim para 25 prillit. Çfarë zgjidhi 25 prilli për qindra naftëtarë dhe punonjës të rafinerisë? Çfarë zgjidhi për mijëra fermerë të Myzeqesë? Çfarë zgjidhi për bizneset e vogla? Çfarë zgjidhi për ata mjeran të cilët pasi i varfëroi deri në palcë ua bleu dinjitetin me një grusht parash të vjedhura po nga xhepat e tyre? Asgjë! Dhe këtu vijmë tek konkluzioni ynë i parë. 25 prilli tregoi se demokratët pa asnjë mjet pushteti në dorë, vetëm me shpirtin e tyre janë në gjendje të bëjnë një mobilizim masiv dhe t’i kundërvihen një pushteti të tërë e ta çojnë në buzë të greminës gati për ta hedhur aty ku e ka vendin.

Padiskutim me këtë vjen edhe konkluzioni i dytë i cili besoj se nuk është sekret as për strukturat tona dhe as për qytetarët shqiptarë, masakra elektorale e 25 prillit nuk do të njihet rezultati i tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve, nuk do të pranohet. Për këtë nuk ka pikë diskutimi. Beteja do të vazhdojë, beteja do të vazhdojë pikërisht për ata të cilët e nisëm, jo për karrigen time, as të Enkelejdit e as të kandidatëve tanë të tjerë, jo për poste drejtorësh apo për tendera, apo për të hapur dyert e doganave për kontrabandë apo për të bërë aleancë me krimin. Jo, jo. Ky degradim, kjo dekadencë, ku degjenerim është për fatin e keq të Shqipërisë sot sëmundja që ka mbërthyer për vdekje kundërshtarin tonë politik. Beteja jonë do të vazhdojë për shqiptarët, beteja jonë do të vazhdojë për fierakët, beteja jonë do të vazhdojë për prindërit që duan t’i rrisin e t’i mbajnë fëmijët këtu. Beteja jonë do të vazhdojë për Shqipërinë dhe për demokracinë. Si do të vazhdojë kjo betejë? Në të gjitha format, në të gjitha mënyrat, në çdo fushë beteje Një gjë është e sigurt si drita e diellit sot fundi i kësaj beteje nuk mund të jetë triumfi i regjimit Rama-Doshi, por përmbysja e këtij regjimi dhe fitorja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Natyrisht nuk duhet të kemi asnjë iluzion se rruga që kemi përpara do jetë e lehtë dhe se orët dhe ditët e sakrificave kanë mbaruar. Është detyra ime t’ju shoh në sy e t’ju them që atë që kemi nisur së bashku krah për krah do ta vazhdojmë deri në fund. Por është po kështu detyra ime t’ju them se në këtë betejë keni vetëm një garanci për sukses, të marrim me vete vullnetin e secilit prej atyre 680 mijë shqiptarëve që na besuan drejtpërdrejt me votë si dhe të qindra, mijëra të tjerëve vota të koalicionit tonë dhe të qindra, mijëra të tjerëve të cilët kësaj radhe u trysnuan dhe u detyruan të qëndrojnë në shtëpi apo të tjetërsojnë votën e tyre. Si do ta bëjmë? Shoh fytyrën e disa të rinjve që i kam parë edhe në fushatë, i kam parë në takimet e Fierit, të Levanit, të Divjakës, të Roskovecit, të Patosit, Mallakastrës, 20 vjeçarë. Ka qenë 12 vjeç kur regjimi erdhi në pushtet dhe jam krenar siç jeni edhe ju të gjithë krenarë, që këtë betejë nuk e kanë udhëhequr vetëm veteranët, qëndrestarët, aktivistët tanë të palodhur politikë, të cilëve fjalët e mirënjohjes nuk mjaftojnë për t’ju shprehur detyrimin që ju kemi, por për herë të parë, në një kohë të gjatë, kësaj beteje i ka prirë rinia. I ka prirë rinia, e cila për 8 vite kishte vetëm një rrugëdalje, largimin nga vendi.

Zgjodhën të qëndrojnë, zgjodhën të bëjnë betejë me ne! Unë dua t’i falenderoj nga zemra të rinjtë demokratë fierakë dhe të gjithë të rinjtë demokratë shqiptarë dhe gjithë rininë shqiptare, besimi i të cilëve pa pikë diskutimi është jo thjesht dëshmues i forcës së fushatës tonë për të ndezur shpresën por edhe obligim i madh sepse duhet t’i mbajmë këtu, sot, nesër, pasnesër dhe deri në përmbysjen e këtij regjimi, që është pengesa e vetme dhe shkaktari i vetëm dhe i vërtetë i largimit të të rinjve nga Shqipëria, ndaj detyrimi ynë është i dyfishtë, t’ia shkurtojmë ditët dhe të punojmë orë e minutë për ta përmbysur këtë regjim. Siç e keni parë, shteti përdori në Fier gjithë makinerinë e tij për të tjetërsuar vullnetin, për të vjedhur votën, për të blerë votën, për të intimiduar qytetarët dhe përsëri me gjithë makinerinë shtetërore kundër një opozite, kundër një Partie Demokratike, pa asnjë pushtet shtetëror, diferenca në atë që e konsiderojnë si bastionin e tyre historik, arriti në rekordet historike më të ulëta. Pa pikë diskutimi, që në zgjedhje të lira e të ndershme, Fieri do të shënonte jo thjesht barazim, po përmbysjen e një klike që i ka mbajtur fierakët peng tash 30 vite.

Tani çfarë kujtojnë se do të bëjmë? Do të ulim kokën e do të pranojmë që një grusht njerëzish, përfituesit e vetëm të këtij regjimi të vazhdojnë ta mbajnë peng Fierin dhe Shqipërinë? Të vazhdojnë të venë bast se mund të rrinë në pushtet duke e zbrazur atë nga njerëzit që e duan vendin e tyre, duan familjet e tyre, duan një të ardhme më të mirë? Sigurisht që jo. Pa diskutim, ditët e para kanë qenë ditë shoku dhe tronditjeje jo vetëm për demokratët, për të gjithë shqiptarët. Edhe për një pjesë të mirë të socialistëve, të cilët të jeni të bindur dhe ju e dini, kanë votuar për ndryshimin. Dhe kjo është fare njerëzore, po ndryshe s’do ishim njerëz. Ne s’jemi prej guri por kocka jonë është e pathyeshme. Në qoftë se ka diçka që e dinë fare mirë të gjithë është që demokratët nuk dorëzohen kurrë dhe tani që është fare e qartë se ndryshimi u pengua në mënyrë të paligjshme dhe kriminale, shokut, tronditjes dhe zhgënjimit po i lë vend zemërimi, vendosmëria dhe forca për t’u ngritur në këmbë dhe për ta vazhduar këtë betejë derisa ky regjim që e kemi çuar në buzë të greminës, të gremiset e të marrë fund një herë e përgjithmonë. E dimë dhe vetë. Shikoni marifetet që përdorin! Refuzojnë t’ju kërkojnë organeve shtetërore provat e manipulimit. Besoj e keni ndjekur! Refuzojnë t’i kërkojnë kadastrës tapitë që kanë ndarë sepse krahasimi qark për qark dhe në nivel kombëtar, i nxjerr haptas dhe në mënyrë flagrante në shkelje kriminale të Kodit Zgjedhor.

Refuzojnë të bëjnë të njëjtën gjë me çertifikatat e legalizimit, me sigurimet shoqërore dhe punësimet e paligjshme dhe kriminale në çdo institucion qendror, lokal dhe në kompanitë publike në fushatë. Refuzojnë të sjellin informacionet e policisë që janë bërë maune me dokumenta, me kallëzime, me prova të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të krerëve politikë të Partisë Socialiste me krerët e krimit të organizuar apo të shërbimit informativ ku ka orë të tëra përgjimesh të ministrave të Ramës, duke shkelur ligjin, që do të mjaftonin për t’ju vënë prangat dhe për t’i çuar tani si të pandehur para drejtësisë. Nuk mjaftojnë thirrjet për sy e faqe që krimet zgjedhore të zbardhen me transparencë e me shpejtësi. Të gjithë shqiptarët e dinë që 25 prilli u kthye në një ditë vjedhjesh, më të madhen në 30 vite. Nuk mjafton ndëshkimi i tyre, gjëja e vjedhur duhet t’i kthehet të zotit. Nuk na kanë vjedhur ne, kanë vjedhur shqiptarët, ndaj e vetmja rrugë përpara është që shqiptarëve t’ju kthehet një orë e më parë vullneti i tyre i lirë. Çdo iluzion tjetër se ne mund të pranojmë si qeveri të ligjshme një regjim që ka shkelur çdo rregull, çdo ligj dhe Kushtetutën e vendit, çdo iluzion i tillë është një ëndërr e kotë me të cilën mbajnë veten me gajret. Ne vijmë pas një beteje të gjatë dhe këto javë nuk janë javë të lehta. Kam dëgjuar histori prekëse dhe tronditëse për të moshuar dhe të rinj, për mënyrën se si e kanë përjetuar arrestin e përkohshëm kardiak të Shqipërisë me 25 prill. Përpjekjen e dhunshme për të ndalur ndryshimin por kush kujton se ne tani do shtrihemi e do ulim kokën ose nuk na njeh ose i ka bërë hesapet gabim, po shumë gabim! Ne jemi treguar të drejtë dhe dinjitozë në çdo aspekt. Fushatën e bëmë me program, me qytetari.

Ekonomia dhe Europa ishin dy shtyllat e programit tonë. Ne u treguam të vendosur dhe të duruar përballë makinerisë shtetërore të terrorit, intimidimit, shantazhit dhe shitblerjes së votës. Po populli e ka një thënie “Ruaju nga zemërimi i të duruarit.” Ndaj, koha po skadon me shpejtësi që institucionet t’i përgjigjen sfidës që kanë, sfidës që kanë për të arrestuar dhe vënë prapa hekurave autorët dhe urdhëruesit e masakrës elektorale të 25 prillit, jo cironkat. Sfidës që ka institucioni zgjedhor deri në nivelin e Kolegjit Zgjedhor. Edhe një herë nuk duhet të kemi asnjë iluzion, është i njëjti KAS sot, ai që ishte dje dhe pardje. Ishte KAS-i që hoqi emrat e kandidatëve nga fleta e votimit siç urdhëroi Edi Rama, i njëjti KAS që votoi për të mos i kërkuar prova institucioneve shtetërore. Por detyra jonë është të konsumojmë çdo hap dhe betejën ta shtrijmë në çdo fushë, ta shtrijmë në çdo rrugë, në çdo qytet e në çdo fshat. Fundi i kësaj beteje do të jetë fitorja për arsyen e thjeshtë sepse ne nuk do ta humbim asetin më të vyer, më të çmuar që mund të ketë një forcë politike që është ai momenti magjik kur njerëzit e besojnë që betejën nuk po e bëjmë për veten tonë por po e bëjmë për ta. Ndaj ajo që ju kërkoj sot janë dy gjëra, së pari si drejtues, si kapiten të betejës këtu në qarkun e Fierit, t’ia drejtoni këtë mesazh çdo bashkëluftëtari tuaj, çdo anëtari të strukturave tona, çdo mbështetësi, simpatizanti, vullnetarëve të fushatës, të rinjve në veçanti, dhe t’i thoni se ajo që duket si fundi i betejës për Edi Ramën me 25 prill, është fillimi i një makthi që do të përfundojë vetëm me rrëzimin e tij dhe të regjimit të tij. Ndërsa porosia e dytë, është po kaq e rëndësishme dhe pak më e vështirë, mos harroni se çfarë e ngriti këtë dallgë shprese dhe besimi te ndryshimi. Po jua përsëris dhe një herë; frymën e ndryshimit e ngriti pikërisht ajo magji që bën bashkë një forcë politike, e cila normalisht me program siç ishte rasti ynë, me struktura synon pushtetin dhe një tërësi qytetarësh që kurrë nuk do trokasin në derë ditën që Partia Demokratike do të jetë në pushtet, për të kërkuar punë por që besuan se luftën nuk po e bëjmë për pushtetin tonë por po e bëjmë për ta, për fëmijët e tyre, për familjet e tyre, për Shqipërinë dhe për pushtetin e tyre. Edhe një herë, askush të mos ketë asnjë dyshim, rezultati i masakrës elektorale të 25 prillit është i papranueshëm dhe nuk do të pranohet kurrë. Shanset për të bashkëpunuar me hajdutin e shpresës së shqiptarëve, me njeriun, me regjimin Rama-Doshi, që ka ndaluar përkohësisht ndryshimin që e duan të gjithë, po them të gjithë, edhe socialistët, shanset, pra, opsioni për të bashkëpunuar me këtë krim që u krye faqe gjithë shqiptarëve dhe botës, janë zero. Kush nuk e ka dëgjuar, le ta dëgjojë. Kush nuk e ka kuptuar, le të ngrejë dorën”, ka thënë Basha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!