Gjatë takimit me pedagogët kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi edhe njëherë se një nga hapat e parë të qeverisjes së tyre do të jetë anulimi i ligjit aktual për arsimin e lartë.
Sipas Bashës, anulimi i këtij ligji do të sjellë zëvendësimin e tij me një ligj modern.
“Një nga hapat e parë të qeverisjes tonë do të jetë anullimi dhe zëvëndësimi i ligjit aktual për arsimin e lartë me një ligj të ri bashkëkohor
Bashkë me anullimin e ligjit dhe zëvendësimin e tij me një ligj modern, do të akordojmë mjete të mjaftueshme financiare.
Shqipëria të jetë me të njëjtat nivele ku është rajoni sa i pëket arsimit. Këta janë treguesit e vërtetë të shkallës së përgjegjshmërisë. Përndryshe do të vazhdojmë të prodhojnë talente që do të largphen.
Nuk ka asnjë mungesë, Shqipëria ka edhe më shumë mundësi që të mbajë dhe rikthejë trurin. Dua t’ju garantoj të gjitha hapat që do të ndërmerren”, u shpreh Basha.
Basha foli po ashtu për kushtet e vështira, mungesë të infrastrukturës dhe teknologjisë së përshtatshme për mësimin online.
Kryedemokrati akuzoi qeverinë se nuk është përgatitur për këtë situatë, pavarësisht se pati kohë të mjaftueshme. Ai kërkoi informacion nga pedagogët dhe problematikat me të cilat përballen si dhe propozime për tejkalim të tyre.
“Nga informacionet që mora, nuk janë marrë masat dhe njoftimi është bërë brenda një kohe të shkurtër. Infrastruktura, teknologjia për mësimin online inekzistente dhe ku është, është larg standardeve. Teknologjia dhe kapacitetet e universiteteve të pamjaftueshme për të zhvilluar një proces dinjitoz online. Mirëpres propozimet tuaja për të përballuar këtë kalim të beftë tek mësimi online”, tha Basha. g.v/abcnews.al