Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të enjte ka zhvilluar një bashkëbisedim me mësuesit të cilët kanë dhënë detaje në lidhje me sfidat e tyre në lidhje me këtë situatë pandemike në vend.
Basha në këtë takim ka theksuar se është i rëndësishëm të jemi të ndërgjegjshëm dhe mbi të gjitha që të mbrojnë njëri tjetrin në kushtet në të cilat ato punojnë.
Ai ka theksuar se e di se është e vështirë dhe e di se në shumë shkolla mungon edhe uji i rrjedhshëm.
Mësuesit nga ana tjetër shprehen se e kanë të vështirë të punojnë në kushte të tilla, dhe sipas tyre nuk është marrë asnjë masë shtesë në lidhje me mbrojtjen që duhet tu bëhet atyre.
Mësuesi Arjan Peraj një ndër të pjesëmarrësit në këtë bashkëbisedim shprehet se kolegët e tij shpesh mund ta fshehin gjendjen në të cilën ndodhen pasi kanë frikë se zëvendësohen.
“Dje në takim dhe me kontakte telefonike me shumë kolegë të mitë për të marrë informacion për sot, që mësues e kolegë mungojnë në shkollë dhe gjejnë 1001 arsye për vetëm e vetëm ta shtyjnë deklarimin që janë të sëmurë me COVID. Kjo ka sjellë një kakofoni dhe një katrahurë në marrëdhëniet dhe në vazhdimin e punës ndërmjet drejtuesave të papërgjegjshëm të institucioneve arsimore dhe mësuesve. Një problem tjetër shumë i madh, të cilin ne në qytetet, jo Tirana, por në qytetet urbane dhe rurale që e hasim tepër është edhe transporti i mësuesve. Mësuesit shkojnë me furgona edhe me autobusa pa asnjë kusht të protokolllit, pa masa mbrojtëse, një maskë në një autobus që mund të ketë mbi 40 vetë, nuk ka se si të ruhet protokolli apo te furgoni 15 vendësh”, është shprehur ai.
Ndërkohë nga ana tjetër kryedemokrati pasi ka dëgjuar të gjithë ankesat e mësuesve është shprehur se plani i tyre parashikon që paga e tyre minimale të bëhet 700 euro.
“Ju mësuesit duhet të keni trajtimin që kemi kërkuar dhe për mjekët dhe infermierët. Mësuesit të testohen vazhdimisht, më të ekspozuarit pas mjekëve dhe infermierëve. të higjienizohen, të furnizohen me ujë e dizinfektohen. Protokolle të qarta të ajrosjes dhe higjienizimit, mbështetjes financiare, mungojnë. Brenda 4-vjeçarit tonë të parë rroga minimale e mësuesit 700 euro. Buxheti i arsimit si % ndaj PBB-së do të jetë në nivelet e BE-sës”, ka thënë ai. e.su./abcnews.al