Nga Lushnja ku zhvilloi një takim me qytetarët, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama për keqmenaxhimin e pandemisë, siç tha ai.
Basha u shpreh se Edi Rama dhe qeveria e tij nuk kanë mbajtur asnjë premtim në këto 7 vite, por dështimi më i madh që po i kushton shqiptarëve jetë dhe shëndet është dështimi me shëndetësinë.
Shefi i opozitës tha se qeveria në vend që të ndihmojë qytetarët në kohë pandemie, paratë e taksave të tyre i çon për një grusht miqsh të kryeministrit.
“Lekët që ua merr shqiptarëve në vend që të investojë te shëndetësia, këto para i transferon tek miqtë e tij. Nuk po flasim më për bukën e gojës, po flasim për jetët e njerëzve. Edi Rama po i kushton Shqipërisë jetë njerëzish. Kjo vetëm për të mbrojtur aferat e tij korruptive. Një qeveri dhe një kryeministër nuk gjykohen nga llafet. Por gjykohen nga çfarë bën me taksat që u mbledh njerëzve.
Ky e ka bërë të qartë edhe në kohën e pandemisë ku gjithë bota është ngritur, ky vazhdon dhe vjedh. Madje e ka shtuar ritmin e vjedhjeve. Ne nuk mund ta pranojmë kurrë këtë. Vendimi i parë që do të marr është se shpenzimet e shqiptarëve nuk do të shkojnë për oligarkët. 6 javë më parë i kemi dalë me planin tonë. Ja ku kemi ardhur. Në këtë kohë shumë njerëz kanë humbur jetën nga Covid. Në kulmin e pandemisë hapi tendera sekretë. Sepse bleu një maskë me dyfish çmimin që shiteshin në farmaci. Nuk ka më askush iluzione dhe shpresë që ky njeri mund të ndryshojë kurs. Kjo është arsyeja që qytetarët i kanë sytë nga ne”, tha Basha. g.v/abcnews.al