Baret dhe restorantet shkurtuan me 22% personelin nga kriza e Covid

schedule07:10 - 22 Qershor, 2020

schedule 07:10 - 22 Qershor, 2020

Baret dhe restorantet ishin sektori i parë që u godit nga karantinimi, pas masave drastike të marra për të kufizuar përhapjen e infeksionit të Covid-19.

Në javën e dytë të marsit ato u detyruan të mbyllen me shpejtësi. Në vend ka rreth 18 mijë bare e restorante (82% e të cilave janë bar-kafe), sipas INSTAT, me mbi 50 mijë të punësuar, ose rreth 10% të të punësuarve në sektorin privat në total.

Të dhënat e para të INSTAT, bëjnë të ditur se pasojat ishin të mëdha dhe baret dhe restorantet rezultojnë më të goditurat sa i takon efektit në punësim.

Për tremujorin e parë të vitit, numri i të punësuarve në këtë aktivitet ra me 21.7% dhe fondi i pagave u tkurr me rreth 20.6%, duke shënuar performancën më të keqe nga të gjithe sektorët e shërbimeve sa i takon punësimit.

Në të gjithë aktivitetet e tjera të shërbimeve, numri i të punësuarve ishte në rritje në tremujorin e parë, duke reflektuar ecurinë e dy muajve të parë të vitit, por duket se baret e restorantet morën goditje më të shpejtë dhe më të fortë. Edhe indeksi i shitjeve të këtij aktiviteti ishte negativ, ndonëse në nivele të ulëta, për shkak të amortizimit të dy muajve të parë të vitit.

Edhe pse baret e restorantet tashmë janë hapur, pas dy muaj mbylljeje, ecuria nuk duket shumë pozitive. Operatorët e tregut pohojnë se konsumi dhe frekuentimi është i ulët, sidomos për restorantet.

Ndërsa klubet e natës, që kishin dhe konsumin më të lartë, vijojnë të jenë të mbyllura. “Nëse qeveria nuk ndërhyn me grante apo subvencionim të qirasë, këto biznese do të falimentojnë. Flasim për struktura që kanë kushtuar me qindra apo mijëra euro dhe me kosto të lartë në mirëmbajtje”, pohon Jahaj, Enri Jahaj, anëtar i bordit drejtues të Shoqatës të Bareve, Restoranteve dhe Klubeve.

“Ne si shoqatë parashikojmë që do të ketë një falimentim në masë, sidomos bizneset familjare të ngritura me investime minimaliste nuk do t’i mbijetojnë dot krizës dhe sjelljes sonë ndryshe”, ka pohuar më herët ai për Monitor.

Shqipëria rekord në botë

Në raport me popullsinë, kemi vendosur rekord vitet e fundit. Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, sipas të dhënave të përpunuara të INSTAT për numrin e bareve dhe popullsinë, duke kapur rekord jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas Shqipërisë renditet Portugalia, e cila kishte 427 bare për çdo 100 mijë banorë. Në top 5 vendet me numrin më të lartë pas Portugalisë, është Spanja me 392 bare për 100 mijë banorë, Greqia me 343, Kroacia me 240 dhe Italia me 211. Vendet e rajonit kanë shumë më pak bar-kafe sesa ne. Psh, Serbia ka vetëm 9, ndërsa Maqedonia 47./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!