Baresi: Nder dhe krenar për detyrën e re, Milani do vazhdojë të jetë i madh

schedule18:37 - 28 Tetor, 2020

schedule 18:37 - 28 Tetor, 2020

Milani ka bërë ditën e sotme një ndryshim në strukturat drejtuese. Franco Baresi është zgjedhur zv presidenti i nderit i kuqezinjve, një vendim që gëzon tifozët dhe të gjithë pjesëtarët e klubit të famshëm. “Franco do të vazhdojë të ndihmojë Milanin me përvojën e tij të madhe rreth futbollit.

Pasioni dhe vizioni i tij për të ardhmen do të jetë një plus më shumë për klubin. Ai do të forcojë akoma më shumë reputacionin që ka dhe do të ruajë lidhjen që ka me tifozët në të gjithë botën“, lexohej në komunikatën zyrtare të klubit italian.

Ish-kapiteni i famshëm i Milanit, ka folur rreth detyrës së re në një prononcim për sajtin zyrtar të “Djallit”. “Falënderoj klubin, presidentin Scaroni dhe administratorin e deleguar Gazidis për këtë detyrë të re.

Të bëhem zv president nderi i klubit ku kalova gjithë karrierën time si futbollist dhe ku gjithashtu fillova një rrugë menaxheriale, është një nder i madh për mua, që më mbush plot krenari. Jam shumë i lumtur për vlerësimin e marrë.

Mbi të gjitha prej faktit që klubi më ka menduar mua si personin e duhur për të shtuar një pjesë tjetër tek e ardhmja e një stemë të lavdishme, në mënyrë që Milani të vazhdojë të mbetet i madh“, deklaron Franco Baresi. /abcnews.al