“Barella Style”, kështu e quajnë në Itali formulën që Interi kërkon të bindë Hellas Verona për transferimin e mbrojtësit Marash Kumbulla. Zikaltrit duan ta bëjnë tyrin me çdo kusht të riun shqiptar, që ka spikatur në sezonin e tij të parë në Serie A.
Inter po tenton ta marrë në huazim djaloshin nga Malësia e Madhe, por duke paguar një shifër të konsiderueshme. Gjithashtu në marrëveshje do të jetë e përfshirë një klauzolë që e detyron klubin zikaltër ta blejë mbrojtësin.
E gjitha si me mesfushorin Nicolo Barella, të cilin Interi e huazoi për 12 milion euro dhe më pas ishte i detyrar ta blinte për 25 milion euro, si dhe te jepte edhe 8 milion të tjera në formë bonusesh, lehtësisht të arritshme.
Hellas Verona për Kumbullën kërkon 30 deri në 35 milion euro, ndërkohë që La Stampa ditët e fundit raportonte se Juventus ishte gati të paguante 32 milion euro për të nënshkruar me mbrojtësin e kombëtares për pesë vite. / abcnews.al

