Bare: Me Spanjën nuk është miqësore, De Tomas e kam paralajmëruar

schedule21:52 - 21 Mars, 2022

schedule 21:52 - 21 Mars, 2022

Keidi Bare do të luajë kundër Spanjës në shtëpinë e tij, aty ku tifozët e brohorasin kur vesh fanellën e Espanyol. Këtë herë mund ta duartrokasin, ndërsa për ta mbështetur do të mendojnë shqiptarët. Para ndeshjes, mesfushori ka dhënë një intervistë për Supersport, dhe tregon edhe ngacmimet me shokun e tij të skuadrës.

Emocione përballë yjeve të Spanjës, luan me Espanyol në La Liga por me kombëtaren është një emocion ndryshe… 

Natyrisht është një emocion i madh për mua, po thuajse jam rritur në këtë vend dhe është e veçantë të luaj kundër Spanjës dhe më jep një emocion të veçantë.

Ke pasur ndonjë ngacmim me Raul De Tomas që e ke shok skuadre te Espanyol?

Jo vetëm me Raul De Tomas, por edhe me trajnerin, apo lojtarët e tjerë kemi bërë disa ngacmime. Pavarësisht se në stërvitje e ruajmë Raul De Tomas, i kam thënë se në ndeshjen me kombëtaren nuk do ta ruaj si në stërvitje.

Si duket përfaqësuesja në këtë grumbullim, ishte dita e parë?

Kishim 3-4 muaj pa u grumbulluar, jemi të kënaqur që jemi bashkë. Ne nuk e luajmë si miqësore këtë ndeshje, e trajtojmë si ndeshje zyrtare. Spanja ka shumë kualitet dhe do të bëjmë më të mirën tonë për të arritur edhe një fitore.

Shërbejnë këto ndeshje për Nations League?

Janë dy ekipe me shumë kualitet dhe kemi treguar se mund të luajmë me skuadra të mëdha. Këto ndeshje do të na tregojnë ku jemi.

Goli i parë në LaLiga me Espanyol, je një lojtar që ke fituar siguri tashmë…

Ishte goli i parë në LaLiga dhe ndjehem krenar. Nuk është e lehtë për një lojtar nga Shqipëria të luajë në këto nivele. Që i vogël ëndrra ime ka qenë të luaj në Spanjë. Pavarësisht se në atë ndeshje ku realizova golin humbëm, për mua ngelet një gol unik.

E mendon veten te Espanyol për shumë kohë, apo je i hapur për oferta edhe jashtë Spanjës?

Ndjehem shumë mirë dhe komod, tifozët dhe njerëzit te Espanyol më duan shumë dhe ma tregojnë çdo ndeshje. Tani jam shumë i kënaqur dhe mendjen e kam vetëm te Espanyol.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!