Malaga rikthehet sonte në fushë (19:30) dhe pret Huesca në një stadium pa tifozë. Keidi Bare dhe Armando Sadiku pritet ta nisin si titullarë ndeshjen e fortë përballë vendit të katërt. Skuadra andaluziane ka lënë vendet e fundit dhe shpreson të arrijë zonën “play-out”, që është 8 pikë larg.
Bare ka folur rreth shumë temave për spanjollen AS, aty ku ndalet te objektivat, kombëtarja kuqezi (7 ndeshje dhe një gol), situatën te Malaga dhe largimin e mundshëm nga kjo skuadër.
OBJEKTIVAT – “Unë gjithmonë jetoj ndeshje pas ndeshje. Duam të bëjmë shumë mirë në këtë ndeshje të parë kundër Huescas, më pas do të shohim se çfarë ndodh. Sigurisht që dua ta luaj në ‘play-off’. Të gjithë e kemi atë objektiv, por duhet ta arrijmë hap pas hapi”.
SHQIPËRIA – “Para ndërprerjes së kampionatit, unë dhe Sadiku ishim thirrur për dy ndeshjet miqësore të kombëtares. Po i prisja me padurim. Shpresoj të më thërrasin përsëri kur të kthehet normaliteti. Të luash me kombëtaren është si një ëndërr për mua. Kur kam qenë atje, kam luajtur gjithmonë dhe kam qenë titullar. I jam shumë mirënjohës trajnerit dhe kolegëve. Në futboll dy ditë je mbret dhe ditën e tretë nuk je asgjë. Nëse nuk je gjithmonë në formë, një tjetër vjen dhe ju zë vendin”.
MALAGA – “Kam një kontratë deri në vitin 2021 me Malagan. Nuk më pëlqen të shikoj të ardhmen kur nuk e dimë se çfarë do të na sjellë e tashmja. Nëse klubi vendos që duhet të largohem, sepse i duhen para ashtu siç e dinë të gjithë, atëherë do të më duhet të iki. Nuk kam zgjidhje tjetër, edhe pse nuk dua të iki nga këtu. Ndihem si në shtëpinë time. Tani për tani, koka ime është fokusuar këtu, por nëse vendosin se duhet të largohem, nuk do të kem zgjidhje tjetër”.
RINOVIMI – “Nuk kemi folur ende asgjë. Shpresoj të bisedoj me drejtuesit kur të përfundojë kampionati, që të vendosim se çfarë do të bëjmë”.
OFERTAT – “Nuk merrem me këtë punë. Përpiqem të përqendrohem në fushë, në stërvitje dhe në ndeshje. Kjo është detyra e agjentit tim, e imja është të përqendrohem në futboll. Në janar kishte interes nga disa ekipe, por dëshiroja të vazhdoja këtu. Mendoj vetëm për Malagan, shpresoj të bëj shumë mirë këtu”. /abcnews.al