Bardhyl Jera: Kallaku një Skelë i dytë, Broja e ardhmja për 10 vite

schedule22:44 - 12 Tetor, 2020

schedule 22:44 - 12 Tetor, 2020

Bardhyl Jera, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i kombëtares, është pjesë e panelit të emisionit “Pressing” në ABC News. Shkodrani, i cili është edhe pjesë e Komitetit Ekzekutiv të FSHF, ka folur për tema të ndryshme dhe normalisht nuk mund të shmanget ndeshja e fundit e Shqipërisë me Kazakistanin.

“Mendoj se në pamje të parë ekipi ishte ‘OK’, edhe pse pritshmëritë ishin të mëdha. Shkuam katër herë para porte, mund të shënonim. Rivali nuk kishte asnjë rast. Ka vend për analizë sa të duash. Mendoj se ishte një ndeshje në favorin tonë, tha Jera në fillim të diskutimit.

“Të rinjtë ishin lojtarët më cilësorë të ndeshjes. Kumbulla është një lojtar 20-vjeçar, por shumë profesionist se si luan në hapësirë, në dyluftime dhe në çdo aspekt. Mesfushori Kallaku duhet të luante pas dy qendrave, jo në krah.

Ka aftësi të dalë para porte dhe është shumë teknik. Duhet të forcohet fizikisht. Nuk e kam parë shpesh, por me mënyrën si luante ishte si Skela i dytë, shumë fin dhe elegant. Sa i takon Brojës, do e kemi për 10 vite dhe do bëjë diferencën. Kemi fituar një lojtar të mirë”, shtoi shkodrani.

“Kam parë që lojtarët që kanë patur hatërmbejtje Reja i ka larguar. Mendoj se është e drejtë, pasi në kombëtare nuk luhet për lekë. Tribunë më të bukur se kombëtarja nuk ka”, u shpreh Bardhyl Jera gjatë emisionit. /abcnews.al