Bardhi reagon disa orë para Kuvendit të Berishës: Akt përçarës i demokratëve, kërkon të shfokusojë PD nga beteja me Ramën

schedule19:04 - 29 Prill, 2022

schedule 19:04 - 29 Prill, 2022

Gazment Bardhi ka reaguar vetëm pak orë para Kuvendit të Rithemelimit, i cili do të mbahet nesër në Pallatin e kongreseve.

Interesi i demokratëve është bashkimi, thotë Bardhi, dhe mbledhjen e nesërm e quan një akt përçarës të PD-së.

Sipas tij, interesi i vetëm i Sali Berishës është krijimi i një partie personale që i shërben interesit të tij. Më tej, ndërtimi i strukturave paralele, sipas tij, është një akt turpi për të dëmtuar PD.

“Nesër Sali Berisha ka lajmëruar një tjetër akt përçarës të Partisë Demokratike. Interesi i demokratëve është bashkimi dhe lufta e të gjithëve bashkë me Edi Ramën. Interesi i Sali Berishës është përçarja, zvogëlimi, lufta dhe armiqësia mes demokratëve dhe ndërtimi i një partie personale, që i shërben vetëm interesit të tij personal.

Në vijim të ndërtimit të një partie personale, nesër sipas tij radhën e ka Këshilli Kombëtar. Qartësisht ajo që po bën Sali Berisha nuk ka lidhje me Partinë Demokratike. Këshilli Kombëtar i PD është në detyrë, funksional, i regjistruar në gjykatë dhe me mandat që i përfundon më 17 Korrik 2025.

Ndërtimi i strukturave paralele nga baza në qëndër, nuk është asgjë tjetër, vetëm nje akt turpi për të dëmtuar PD, për të mbajtur gjallë ndasitë mes demokratëve dhe për të shfokusuar PD nga beteja me regjimin e Edi Ramës”, shkruan Bardhi./abcnews.al/ 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!