Bardhi: Dërgimi në ‘Venecia’ do vononte funksionimin e gjykatës

schedule16:51 - 21 Nëntor, 2019

schedule 16:51 - 21 Nëntor, 2019

Partia Demokratike mbështet qëndrimet e mbajtura nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, duke akuzuar kryeministrin Rama se po bën gjithçka për kapjen e kësaj gjykate.

Në një reagim për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi sqaroi se PD mbështet plotësisht qëndrimin institucional dhe kushtetutes të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën Kushtetutese.

“Është provuar qartë dhe pa asnjë mëdyshje se Edi Rama kërkonte të vidhte një anëtar që i takonte ta emëronte Presidenti. Edi Rama shkeli Kushtetutën dhe ligjin, jo vetëm duke emëruar njëkohësisht dy anëtarë në Parlament, por mbi të gjitha, duke mos zbatuar kushtin kushtetues dhe ligjor që për çdo vend vakant duhet të kishte jo më pak se 3 kandidatë të vlefshëm. Lidhur me dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, Partia Demokratike shpreh bindjen se për Shqipërinë dhe qytetarët e saj është me rëndësi themelore vënia në funksionim sa më parë e Gjykatës Kushtetuese.

Duke patur në konsideratë se Komisioni i Venecias nuk jep vendime por opinione, e vetmja pasojë do të ishte vonesa e bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe hapja e një debati tjetër mbi lexime të kundërta të çfarëdo opinioni të Komisionit të Venecias nga palët”, sqaron Bardhi.

Lidhur me shkarkimin e gjyqtarit Besnik Muçi nga KPA, Bardhi ka sqaruar se PD nuk ka komentuar dhe nuk do të komentojë asnjë vendim të vetingut për përjashtim nga sistemi i drejtësisë, me të drejtë ose me të padrejtë, por nxiti këdo prokuror dhe gjyqtar ta kërkojë të drejtën e tij në institucionet vendase dhe ndërkombëtare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!