Bardhi akuza të forta qeverisë: Përpjekje kriminale për të lënë në harresë viktimat e 26 nëntorit

schedule12:12 - 7 Dhjetor, 2019

schedule 12:12 - 7 Dhjetor, 2019

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka hedhur akuza të rënda, duke u shprehur se ka një përpjekje kriminale të Qeverisë për të lënë në harresë viktimat e 26 nëntorit.

Numri dy i demokratëve u referohet dy deklaratave të ndryshme dhënë për mediat nga zv.kryeministri Erion Braçe dhe kreu i bashkisë së Krujës Artur Bushi.

Braçe është shprehur se bashkia u ka kërkuar banorëve të pallateve që janë shembur të largohen pas tërmetit të 21 shtatorit, ndërsa të kundërtën thotë Bushi, ku sipas tij pallatet patëm vetëm rënie të suvasë.

Ndërkaq, Bardhi shprehet se PD nuk do të heshtë deri sa të bëhet drejtësi për  viktimat e 26 Nëntorit!

Reagimi i plotë:

Ka një përpjekje kriminale të Qeverisë për të lënë në harresë viktimat e 26 nëntorit dhe për t’i mbuluar ato me spektakël të pashpirt propagandistik. Ka një përpjekje të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij për të fshehur të vërtetën se tragjedia e Thumanës ka qenë e paralajmëruar!

2 ditë pas tërmetit, Erion Braçe dhe Artur Bushi japin 2 përgjigje të ndryshme, nëse pallatet ishin shpallur apo jo të banueshme pas 21 Shtatorit. Kjo do të thotë se ata po fshehin të vërtetën, po përpiqen ta shtrembërojnë për të shpëtuar nga përgjegjësia.

Për të bërë drejtësi për 24 njerëzit që humbën jetën nga shembja e dy pallateve, Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht përgjigje për masat e marra për sigurinë e banorëve nga qeveria dhe Bashkia e Krujës pas tërmetit të 21 Shtatorit. Deri tani, qeveria ka heshtur dhe është fshehur pas spektaklit kriminal të kreut të saj, i cili nuk kursen as fëmijët e mbijetuar.

Ne nuk do të heshtim derisa të bëhet #DREJTËSI për viktimat e 26 Nëntorit!

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!