Mbrëmjen e sotme emisioni “Bardh a Zi” në “ABC” hodhi në “gjyq” turizmin. A ka bërë mjaftueshëm Shqipëria për turizmin? Si krahasohemi me vendet e rajonit? Çmimet a janë të përballueshme nga masa, pse ikin shqiptarët jashtë për të pushuar?
Çfarë ka bërë qeveria, cfarë ka në plan? Për këto dhe shumë të tjera, ministri i Turizmit, Blendi Klosi u shpreh se synimi është ndërtimi i turizmit për të gjitha grupet, por konkurrent, jo turizëm të lirë. “Cdo gjë që bëhet asnjëherë nuk është e mjaftueshme dhe gjithmonë ka hapësira për të bërë më shumë, por në këto vite ka marrë një hov shumë të madh turizmi. Gjithmonë e më shumë po flitet për turizmin.
Vera dëshmoi që turizmi ishte si moderues i problematikave të ekonomisë shqiptare dhe në muajt e verës u bë një turizëm i konsiderueshëm. Turizmi shikohet si shtyllë e fortë e ekonomisë shqiptare. 6.4 mln turistë të hyrë në Shqipëri në vitin 2019” tha ai.
Por a llogariten turistë, shqiptarët që vijnë gjatë sezonit në atdhe? “Motra ime kur vjen nga Amerika është turiste, pasi qëndron në hotel. Janë turistë dhe ky nuk është koncept që e vendosim ne. Turist është ai që qëndron 24 orë me pasaportë të huaj. Kur vjen me pasaportë shqiptare nuk e regjistron si turist”.
Por përse ikin shqiptarët jashtë? Zana Guxholli, ish- këshilltare e ish-kryeministrit Sali Berisha mori një shembull konkret. “Çadër me 50 euro vetëm në Saint-Tropez dhe në Shqipëri mund të marrësh, në Greqi me 2-3 euro”. Por Klosi e kundërshtoi. “Jemi konkurrentë një kafe që në Greqi bën 5 euro, në Shqipëri bën 1 euro”.
Por a ka ndonjë meritë kjo qeveri? Ish-këshilltarja e Berishës evidenton një. “Nuk ua heq këtë meritë, e kanë promovuar Shqipërinë në rang ndërkombëtar, e vazhduan ashtu si ishte. Meritë shumë të madhe ka sektori privat, që ka investuar” tha Zana Guxholli.
Në periudhën e pandemisë që po kalojmë ka ankesa për selektivitet nga bizneset. Guxholli denoncoi se “Për natën e vitit të ri ishte bërë padrejtësi, Korça ishte lejuar, lokalet me muzikë, ndërkohë që në Pogradec dhe qytete të tjera nuk ishte lejuar. Konkurrenca duhet të jetë e ndershme”.
Por Klosi u përgjigj “Nëse ka pasur ndonjë rast sporadik është dënuar. Për festimet për Vitin e Ri, në masën shumë të madhe janë penguar, a ka pasur bujtina apo hotele që kanë organizuar… detyra e njerëzve është të denoncojnë”.
Ministri i qëndroi deklaratës se valët e muzikës kur nuk ruhet distanca përhapin më shpejt COVID-in, prandaj është ndaluar. “Muzika ka qenë një gjë mbarë botërore, ka pasur kufizime, sepse ka krijuar mundësi për më shumë përhapje të virusit. Kjo e keqe për njerëzit që merren me muzikë do të vijojë“.
Objektivi? Klosi tha se synim është strategjia për ndërtimin e turizmit në 6 pole. “Në Adriatik të kemi një zhvillim të turizmit masiv, Shkodër-Lezhë si ansambël, i kanë të gjitha së bashku, Alpet si destinacion unik, turizmi Tiranë-Durrës, i pesti Korça, Përmeti-Pogradeci dhe turizmi elitar. E rëndësishme është që kemi nevojë të krijojmë destinacionin. Duhet marketing. Turizmi nuk duhet parë si kënaqësi, por si industri” tha Klosi./ db/Abcnews.al