Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Barcelonë-Liverpul, finalja e parakohshme

schedule13:53 - 1 Maj, 2019

schedule 13:53 - 1 Maj, 2019

Barcelona-Liverpul mund të quhet finalja e parakohshme e Ligës së Kampionëve. Dy skuadrat luajnë duelin e parë gjysmëfinale mes tyre, në stadiumin “Kamp Nou”.

Ishte kulmi i vapës, data 15 gusht, dhe pakkush e kishte mendjen tek futbolli.

Gjithsesi, pikërisht atë pasdite një premtim i madh u bë në stadiumin “Kamp Nou” ku ndodheshin dhjetëra mijë tifozë.

Kapiteni Lionel Mesi mori mikrofonin dhe deklaroi se synimi kryesor i sezonit ishte të kthehej trofeu i Championsit në Barcelonë, dhe premtoi se do të bëhej më shumë se maksimumi për t’ia dalë.

Kanë kaluar më shumë se 8 muaj, ky premtim u kujtua në konferencën e shtypit nga trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, skuadra e të cilit do të ndeshet me Barcelonën në gjysmëfinale të Championsit, sot në orën 21:00.

“Ato fjalë në atë kohë m’u dukën si kërcënim, ja ku jemi përballë njëri-tjetrit dhe të dyja skuadrat duan që të shkojnë në finale. Kjo ndeshje nuk është vetëm kundër Mesit, por është padyshim kundër Mesit. A mund t’i lejojmë vetes të përqendrohemi vetëm tek Mesi? Kjo mund të ndodhë në ndonjë moment, por Barcelona ka edhe 10 lojtarë të tjerë të klasit botëror, që mund të vendosin ndeshjen. Njerëzit thonë se katalanasit nuk janë si më parë, por ata kanë 20 vjet në këto nivele, ndërsa ne vetëm dy vjet”, tha gjermani gjysmë me shaka.

Liverpuli ndihet me besim në ndeshjen ndoshta më të vështirë të mundshme.

Jo më kot, anglezët shënuan 3 gola në Mynih dhe 4 në Porto.

Shqetësimi i vetëm për Klopin është sulmuesi Firmino, ende paksa në dyshim.

Po Barcelona, nga e cila nuk pritet që të dështojë?

Katalanasit nuk kanë asnjë problem dëmtimi apo pezullimi, dhe dilema e vetme e trajnerit Valverde është që të zgjedhë mes Kutinjos ose Dembelesë në formacion.

Lionel Mesi pritet në formë shumë të mirë dhe do të jetë rreziku kryesor për kundërshtarin.

“Liverpuli është shumë i fortë në sulm, është i jashtëzakonshëm dhe bën shumë presion, me ritëm të lartë. Është loja që Klopi bënte në Dortmund. Nuk na lejohet asnjë gabim, sepse Liverpuli përfiton shpejt. Ka nevojë vetëm për 15 minuta për të vendosur një ndeshje. Pra, duhet të jemi të përqendruar, është problem më shumë psikologjik sesa fizik” , deklaroi Valverde.

Në radhët e Barcelonës janë dy lojtarë që bënë histori në Liverpul për aq sa luajtën aty.

Luis Suarez dhe Filip Kutinjo mbeten heronj për tifozët në “Anfild”, ndërsa flasin kështu për televizionin e Barçës.

“Ne të dy do të luajmë ndaj ish-skuadrës sonë, dhe kjo krijon një paqartësi në nivel personal, por objektivi ynë si skuadër është i qartë, të bëjmë maksimumin për Barcelonën, për shokët. Kjo është puna jonë, pavarësisht se do të jem kundër ish-ekipit tim”, tha Suarezi.

“Kalova 5 vjet tek Liverpuli, dhe isha shumë i lumtur atje. Tani, unë kam fanelë tjetër, ngjyra të tjera. Do të jetë një ndeshje e veçantë dhe shpresoj të japim më të mirën”, u shpreh Kutinjo.

Barcelona jepet favorite për të fituar, si edhe për t’u kualifikuar, edhe pse në të tria përballjet me eliminim në kupat evropiane, ka triumfuar Liverpuli./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!