Organizata joqeveritare spanjolle “Open Arms” organizoi një tubim në plazhin e Barcelonës në kujtim të më shumë se 2.600 emigrantëve që humbën jetën këtë vit në përpjekje për të kaluar Detin Mesdhe për në tokën evropiane.
Në plazhin e Barcelonetës në qendër të Barcelonës në orët e para të mëngjesit u ekspozuan qindra veshje dhe disa varka të dëmtuara.
“Open Arms” tha se këtë veprim e kanë ndërmarrë me rastin e 75-vjetorit të miratimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Në një deklaratë, ata theksuan se qëllimi i tyre është të nxjerrin në pah vështirësitë me të cilat përballen emigrantët në kërkimin e tyre për një jetë më të mirë dhe të mobilizojnë ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar për të parandaluar tragjeditë e emigrantëve në Mesdhe.
“Ne po përballemi me një gjenocid strukturor të njohur dhe të heshtur. Mijëra njerëz po humbasin jetën e tyre duke u përpjekur të gjejnë një jetë më të mirë, larg varfërisë dhe urisë”, tha Open Arms.
Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin e Kombeve të Bashkuara, në periudhën nga 1 janari deri më 30 shtator, gjithsej 2.357 emigrantë kanë vdekur ose janë zhdukur në ujërat e Detit Mesdhe gjatë rrugës nga brigjet e Afrikës së Veriut për në Evropë.
Ministria e Brendshme spanjolle njoftoi se gjithsej 46.862 emigrantë erdhën në Spanjë nga 1 janari deri më 15 nëntor, shumica e tyre në Ishujt Kanarie, një rritje prej 118 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.