Ndonjëherë ndeshje të tilla luhen pikërisht kështu.
Barcelonës i duheshin tri pikët ndaj Rajo Vajekanos për të dalë në krye të renditjes së La Ligës spanjolle, dhe pikërisht përgjegjësia e madhe e bëri fitoren thuajse një mirazh.
Edhe pse katalanasit shënuan shpejt, që në 28’ me penalltinë e Robert Levandovskit, sërish sfida mbeti e hapur deri në fund dhe skuadra modeste madrilene thuajse barazoi në çastet përmbyllëse.
Nuk bëri punë epërsia në zotërim topi e ekipit “blaugrana”, me 60 për qind.
Rajo ishte thuajse barabar në gjuajtjet në kuadrat, me 4 të tilla ndaj 5 të vendasve.
Jo vetëm kaq, por arbitri Mario Melero Lopez anuloi një gol të Vajekanos, duke shkaktuar polemika.
U gjykua për pozicion jashtë loje, që nuk u duk bindës, por gjithsesi “Marka” e Madridit komentonte se nuk ishte hera e parë që anulohej një gol I tillë.
Edhe 11-metërshi për Barçën u diskutua gjatë dhe u desh vëzhgimi nga VAR-i.
E vërteta është që të besuarit e trajnerit Hansi Flik e patën të vështirë, sidomos pas pushimit, me rastet thuajse të barabarta, edhe pse vendasit ishin më lart në pjesën e parë.
“Barça fiton kryesimin me polemikë”, – shkruan “Marka”, duke komentuar penalltinë për katalanasit dhe sidomos golin e anuluar.
“VAR-i bën Barçën me krahë, – ironizon e përditshmja tjetër e kryeqytetit, “AS”, e cila boton edhe një anketë me lexuesit, 60 për qind e të cilëve votojnë se penalltia e Barçës nuk iu duk e drejtë!
Skuadra “blaugrana” kryeson renditjen e La Ligës me 51 pikë, po aq sa Reali, por me golaverazh më të mirë dhe me ndeshjen direkte të fituar 4-0 në “Bernabeu”.
Atletiko është fare pranë me 50 pikë./abcnews.al